“Neomalsorja” rrëfen kërcënimet, i dërgon mesazh të fortë Ramës
Pushtetarët duhet t’i tremben popullit, reflektoni për ato që jeni ende në kohë
Deputetja Marjana Koçeku, e cila prej disa kohësh është larguar nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, ka dhënë një intervistë të detajuar në emisionin e drekës përballë Ola Brukos, ku ka sqaruar rrethanat e vendimit të saj dhe zhvillimet që pasuan.
Ajo theksoi se vendimi për t’u shkëputur nga PS nuk iu komunikua paraprakisht as kolegëve dhe as familjarëve, pasi nuk donte të ndikohej nga askush.
“Çdokush përfshi qeverinë, parlamentin dhe familjen e kanë marrë vesh në rrjetet sociale sepse nuk doja të lija asnjë hapësirë influencimi. Kam patur shumë telefonata nga krerët e PS dhe kryeministrit. Ramës ia komunikova me vonë se ky ishte një hap përfundimtar dhe s’do të kishte tërheqje mbrapsh. Ka pasur tentativa, por ky është vendimi im,” u shpreh Koçeku.
Ajo shtoi se, pavarësisht largimit, brenda Partisë Socialiste ka ende figura që e mbështesin, por zgjodhi të mos bëjë publikë emrat e tyre.
“Këto kohë kam parë pakënaqësi të anëtarëve të PS, pakënaqësi lehtësisht e lexueshme, uroj të gjejnë kurajon dhe të bëjnë funksionin për të cilin janë aty. Nuk jemi të përjetshëm. Dua të respektoj privatësinë e atyre që më kanë mbështetur,” deklaroi ajo.
Deputetja foli edhe për kërcënimet që pretendon se ka marrë nga grupi i Bajrave, duke theksuar se reagimi i saj ka qenë publik dhe i mjaftueshëm.
“Reagimin tim për kërcënimet e kam bërë publik. Jam mjaftuar me atë mesazh dhe mesazhi ka qenë mbi baza të forta,” tha Koçeku.
Në vijim, ajo sqaroi edhe pozicionin e saj aktual në Kuvend, duke theksuar se tashmë e konsideron veten deputete të pavarur.
“Kam qenë pjesë e listës së mbyllur, kam kryesuar listën e Shkodrës. Unë kështu e gjeta këtë sistem, unë betimin e kam bërë mbi Kushtetutë dhe jo mbi Statutin e PS, nuk braktiset një betim. Sot e konsideroj veten të pavarur. Me PS thjesht ndaj të njëjtin Parlament. Do të sjell shumë kauza në interes të shqiptarëve, për mua e rëndësishme është liria e ndërgjegjjes për të votuar pro apo kundër ligjeve,” u shpreh ajo.
Në pjesën e dytë të intervistës, Koçeku u ndal edhe te protestat, duke i cilësuar ato si një zhvillim me ndikim të madh në kulturën politike në vend.
“Vlera më e madhe e kësaj proteste është konsistenca. Protesta ka korrur fitore, por ka vendosur një kulturë të re politike në vendin tonë. Historia e protestave ka qenë negative sepse ata që i kanë marrë përsipër kanë mbytur. Kjo protestë e ka zhbërë mitin, ky është një revolucion permanent dhe qytetarët po ndërgjegjësohen për forcën e bashkimit,” tha ajo.
Sipas saj, qëndrueshmëria është elementi kyç për suksesin e çdo proteste.
“Më ngjan me një revolucion permanent sepse një protestë duhet të rezistojë, nuk ka një recetë për protestat, por e rëndësishme është konsistenca. Mendoj se pushtetarët duhet t’i tremben popullit, mendoj se duhet të reflektohet mbi gjëra për të cilat janë në kohë për të reflektuar,” shtoi deputetja.
Në fund, Koçeku theksoi se nuk është penduar për zgjedhjen e saj për t’u përfshirë në këtë rrugë, edhe pse politika nuk ka qenë objektivi i saj fillestar.
“Nuk jam penduar, e kërkon koha dhe vendi këtë lloj rezistence, nuk ka qenë ëndrra ime politika, pasi isha e fokusuar te ndërtimi i një rrjeti ekologjik, frymëzimi i banorëve për t’u rikthyer te kullat sepse mendoj se kemi asetet më të bukura konkurruese për të zhvilluar turizmin, por duhen politika,” përfundoi ajo.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



