Nga Ahmetaj tek Veliaj e Allajbeu, cilat dosje mori hakeri nga SPAK
Materiale hetimore sensitive, informacione mbi figura të larta politike dhe ekonomike, si ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, kryebashkiaku Erion Veliaj, Damian Gjiknuri dhe biznesmeni Klodjan Allajbeu, si edhe fotografi me kallëpe floriri apo të dhëna mbi kontrolle në banesën e Franc Çopjas, janë pjesë e dokumenteve që dolën nga hakerimi i kompjuterëve të tre prokurorëve të SPAK.
Sipas dosjes hetimore, këto materiale u siguruan pas ndërhyrjes së paautorizuar në adresat elektronike të prokurorëve dhe iu përcollën nga hakeruesi Arnold Rrokaj disa orë përpara se ngjarja të zbulohej. Zbulimi erdhi pasi një gazetar, të cilit i ishin dërguar dokumentet, informoi më 12 mars 2025 kreun e SPAK, Altin Dumani.
Në aktet e dorëzuara në gjykatë, SPAK e cilëson veprimin si të kryer në formën e grupit kriminal, duke vënë në akuzë Agim Ismailin, Arnold Rrokajn dhe Zambak Gjonin. Ky i fundit ka deklaruar se Rrokaj, mik i tij, i kishte dërguar materiale përmes aplikacionit WhatsApp, përfshirë edhe një letër-porosi drejt Austrisë, si dhe një link që, sipas tij, nuk hapej, por që lidhej me biseda të përftuara nga aplikacioni SKY ECC.
Zambak Gjoni ka pohuar se informacionet i ka shpërndarë më tej me persona të njohur me të cilët diskutonte zhvillimet aktuale në Shqipëri, mes tyre edhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili. Megjithatë, SPAK vlerëson se përfitimi dhe shpërndarja e të dhënave ka qenë e koordinuar, duke sjellë si provë edhe komunikime ku kërkohen informacione për ministrin Ulsi Manja, ndërsa Ismaili përgjigjet se një gjë e tillë “do të ishte e hatashme”.
Nga ana e tij, Arnold Rrokaj ka deklaruar se ndërhyrja në sistemet e SPAK është bërë për “kuriozitet”, duke pretenduar se ka arritur të thyejë adresat e email-eve të tre prokurorëve duke provuar fjalëkalime të thjeshta, si “SPAK2019”.
Pavarësisht pretendimeve të tij për akses më të gjerë, hakerimi ka mbetur i kufizuar vetëm te tre prokurorët. Kjo bie në kundërshtim edhe me mesazhet e Rrokajt drejtuar Zambak Gjonit, ku ai premtonte se shumë shpejt do të siguronte materiale edhe për “Klod Brahon”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



