Nga armët te droga, tre të arrestuar në Kukës e Tropojë
Tre persona kanë përfunduar në pranga gjatë tre operacioneve të zhvilluara nga Policia e Kukësit dhe strukturat në Tropojë, ndërsa kontrollet kanë çuar në sekuestrimin e armëve të zjarrit, municionit luftarak dhe bimëve narkotike.
Dy prej operacioneve janë zhvilluar në Tropojë dhe lidhen me dyshime për armëmbajtje pa leje dhe kultivim të kanabisit. Ndërkohë, operacioni i tretë në Kukës ka zbardhur dy raste të vjedhjes me thyerje, një automjeti dhe një lokali.
Në Tropojë është arrestuar 45-vjeçari E. M., banues në Markaj, pas një kontrolli të kryer në banesën e tij me vendim gjykate. Sipas Policisë, gjatë kontrollit është gjetur një armë zjarri automatike, së bashku me municion luftarak, të cilat janë sekuestruar si prova materiale.
Operacioni është zhvilluar në kuadër të aksionit të koduar “Befasia”, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës.
Një tjetër rast është evidentuar po në Tropojë, ku është arrestuar në flagrancë 38-vjeçari S. H. Ai dyshohet për veprat penale që lidhen me kultivimin e bimëve narkotike, armëmbajtjen pa leje dhe mbajtjen pa leje të armëve të ftohta.
Sipas Policisë, kontrollet nisën pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për një parcelë të dyshuar me kanabis në një zonë të pyllëzuar të Njësisë Administrative Tropojë e Vjetër.
Gjatë ndërhyrjes, efektivët gjetën 42 bimë kanabisi të kultivuara në një parcelë. I dyshuari ndodhej rreth 50 metra larg saj dhe, sipas hetimeve të policisë, bimët dyshohet se ishin kultivuar prej tij.
Kontrolli fizik ndaj 38-vjeçarit çoi gjithashtu në gjetjen e një pistolete me krehër dhe 9 fishekëve. Në banesën e tij u gjetën një armë gjahu, municion dhe një thikë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provave materiale.
Operacioni është koduar “Ëeekend”.
Ndërkohë, në Kukës, një tjetër hetim ka çuar në pranga 31-vjeçarin I. J., banues në Krumë të Hasit. Policia thotë se ka dokumentuar me prova ligjore dy raste vjedhjeje me thyerje, konkretisht vjedhjen e një automjeti dhe të një lokali.
31-vjeçari është kapur në kuadër të operacionit “Hija”, të zhvilluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.
Sipas hetimeve, në orët e para të mëngjesit të 26 shtatorit 2026, i riu dyshohet se ka vjedhur me thyerje një automjet në pronësi të shtetasit R. B. Më pas, dyshohet se ka hyrë me forcë në një lokal në pronësi të shtetasit G. M., prej nga ka marrë sende të ndryshme.
Në cilësinë e provave materiale, Policia ka sekuestruar automjetin e vjedhur, një aparat celular që dyshohet se është marrë në lokalin e vjedhur, si dhe një thikë.
Hetimet nuk janë mbyllur me këto dy episode. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Kukës, në bashkëpunim me strukturat e Hasit dhe Durrësit, po verifikojnë edhe raste të tjera vjedhjesh për të cilat 31-vjeçari dyshohet se mund të jetë përgjegjës.
Në përfundim, materialet procedurale për tre rastet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për vijimin e veprimeve hetimore dhe procedurale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



