Nga Behgjeti te Becchetti, ose kiameti
Kur sapo kishte nisur historia e aeroportit të Vlorës, dy miq më thanë dy të dhëna të hollësishme. Një ministër i rëndësishëm kishte 48 për qind të aksioneve nën emrin e një prestanome. Dhe e dyta: nga ekipi i sipërmarrësit, dikush ishte shprehur i habitur për shpejtësinë rrufe me të cilën ishte bërë gati dosja dhe ishte marrë përgjigjja vendimmarrëse. Sigurisht, ndikimi vinte nga ministri e lart.
Nëpër hije hisesh e rrëmujash suksesi, dyshime shërbimesh, skuta offshore-sh dhe interesa, investimi u sos drejt fundit.
Pastaj kërciti sherri.
2 përqindëshi nuk lejonte 98 përqindëshin të hynte në pronë. Prokuroria nisi hetimet. Gjykata u shpreh pro të madhit, por i vogli i vuri drunë. Dihet se në Shqipëri, kur nuk të kërcet të zbatosh një vendim gjykate, nga Kushtetuesja e poshtë, ke takatin e Edi Ramës dhe të pandehurës Balluku.
Sado u rrotullua Pacolli, entuziazmi i fillimit u fik në përplasjen me bamirësin krokodil, kryeministër. Tani ai bëhet gati për arbitrazh.
Atje janë edhe kompani të tjera. Si në Strasburg. Shumat e kërkuara kapin miliarda, sepse një individ me habere mendore të tërmetizuara nuk pranon asnjë vendim tjetër përveç stomakut dhe portofolit të tij.
Njëlloj si Becchetti. Dy mesazhe. Nga Agaçi dhe Veliaj: “Mos u ngatërro me qeverinë. Tako një herë filanin.” Dhe bereqeti i sherrit?!
150 milionë euro gjobë nga arbitrazhi, në kurriz të shqiptarëve, në favor të biznesmenit të ndëshkuar për inat të Ramë-Agaç-Veliajt.
Tani është Ramë-Balluku.
Mos harroni biznesmenin libanezo-amerikan Fadil Mitri, me projekt investimi në Durrës prej 2 miliardë dollarësh.
Dolën djemtë problematikë të Ramës dhe e palosën në dru. U largua horizontalisht nga Shqipëria, por ende me frymë.
Kjo është orkestra kriminale e kësaj qeverie. Mafie, drogë, vrasje. Nëse nuk paguan taksën në përqindje aksionesh, e cila shkon gjysmë për gjysmë, rruga është nga Becchetti te Behgjeti, ose kiameti. Por paguan gjithnjë qytetari fatkeq e i heshtur
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



