Nga helmimi, te atentati e protesta, paralajmërimi i fortë i Skënder Hitës
Kreu i Policisë së Shtetit zbulon detaje lidhur me helmimin e studentëve, operacionet me RENEA-n për atentatin në Lezhë dhe vendos “rregulla loje” për protestën e opozitës
Kryepolici paralajmëron një model të ri komunikimi me publikun.
Një seri ngjarjesh të ndjeshme që kanë tronditur opinionin publik, nga helmimi i studentëve në Akademinë e Sigurisë, te atentati i rëndë në Lezhë dhe protesta e paralajmëruar e opozitës, kanë sjellë në një dalje të fortë publike Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Helmimi në Akademinë e Sigurisë dhe arrestimet
Hita reagoi lidhur me ngjarjen ku disa studentë të Akademisë së Sigurisë përfunduan në spital pas konsumimit të ushqimit të një kompanie catering.
“Ka qenë një ngjarje sensitive dhe për ne. Jemi njoftuar se disa prej studentëve kanë shkuar në spital. Gjendja e tyre ishte me simptoma të lehta, jo të rënduara. Kemi marrë masa për të gjithë studentët. Sa i përket veprimeve që ndërmorëm dje, arrestuam 2 personat përgjegjës që kanë kryer pjesën administrative dhe përgatitjen e ushqimeve. U shpall në kërkim dhe administratorja e firmës. U bë në bashkëpunim me AKU, bllokimi i lëndës që u përdor. Aktiviteti i subjektit tregtar nuk është ndërprerë, pasi ka dhe disa institucione të tjera ku vepron. Shkeljet konkrete do të bëhen të ditura në vijim. Për momentin kemi marrë vetëm njoftimin që këta studentë janë helmuar. Edhe sot kemi vazhduar me të njëjtën kompani. Dje u bë bllokimi i lëndëve apo sasitë ushqimore të përdorura nga studentët. Kompania vazhdon të furnizojë studentet edhe sot. Do të vijojë më tej se si do të operohet.”, tha Hita.
Ai konfirmoi se ushqimet dhe lëndët e përdorura janë sekuestruar si prova, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht përgjegjësitë.
Atentati në Lezhë, RENEA në terren
I pyetur për atentatin në Lezhë, ku mbetën të vrarë bashkëshortët Kreshnik dhe Gentiana Mujeci, Hita deklaroi se autorët vijojnë të jenë në kërkim.
“Policia që në momentet e para ka bërë një komunikim të drejtpërdrejtë. Hetimet kanë vijuar edhe sot në mëngjes kemi kryer disa kontrolle me forcat speciale RENEA, por ende nuk është bërë e mundur kapja e autorëve”, tha ai.
Paralajmërimi për protestën e 8 majit
Në lidhje me protestën e opozitës të paralajmëruar për më 8 maj, Hita theksoi se Policia ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë.
“Janë marrë të gjitha masat që do të organizohet kjo protestë. Leja është kërkuar për bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe aty duhet të përqendrohet. Në rast të veprimeve joligjore do të veprohet në bazë të procedurave standarde dhe në bazë të Kodit Penal”, u shpreh Hita.
Ndryshon komunikimi i Policisë së Shtetit
Në të njëjtën dalje, kreu i Policisë prezantoi edhe një qasje të re në komunikimin me median dhe publikun, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt transparencës më profesionale.
“Jam sot, para jush, për të çelur një kapitull të ri në mënyrën e komunikimit që unë, si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, por dhe të gjithë drejtuesit e drejtorive vendore dhe strukturave të tjera policore, duhet të kemi në raport me median dhe publikun”, tha Hita.
Ai theksoi se transparenca është thelbësore për besimin e qytetarëve.
“Policia e Shtetit është një institucion në shërbim të qytetarëve dhe çdo veprim i yni ka në themel garantimin e rendit, sigurisë publike dhe zbatimin e ligjit. Pikërisht për këtë arsye, ne e konsiderojmë transparencën një element të domosdoshëm të punës sonë”, deklaroi ai.
Sipas Hitës, ndryshimi vjen pas shqetësimeve të qytetarëve për mënyrën si raportohen ngjarjet kriminale.
“Sot dua të ndaj me ju një vendim të rëndësishëm të Policisë së Shtetit, që lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si ne komunikojmë me publikun”, u shpreh ai.
Ai shtoi se janë kryer konsultime me ekspertë dhe homologë ndërkombëtarë.
“I kam pritur dhe dëgjuar këto shqetësime me shumë seriozitet dhe përgjegjësi, kam kryer konsultime me specialistë të fushës, kam komunikuar me shumë nga homologët e mi në Ballkan dhe Europë, dhe më rezulton se mënyra se si veprojmë ndikon negativisht në shoqëri dhe në jetën e përditshme të qytetarëve”, tha Hita.
Si do të funksionojë modeli i ri
Hita sqaroi se ndryshimi nuk do të thotë më pak transparencë, por më shumë profesionalizëm.
“Dua ta theksoj qartë, kjo nuk është një tërheqje nga transparenca, përkundrazi, është një hap përpara drejt një transparence më cilësore dhe më profesionale”, deklaroi ai.
Ai renditi edhe masat konkrete:
“Së pari, të gjitha të dhënat statistikore mujore dhe vjetore mbi kriminalitetin dhe sigurinë publike do të jenë të aksesueshme në mënyrë të plotë në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit”.
“Së dyti, për ngjarjet në dinamikë, titullarët e Policisë në vendngjarje do të japin informacionin e nevojshëm për mediat dhe publikun, në kohë reale dhe të shoqëruar dhe me informacionin paraprak nga zëdhënësi i Policisë”.
“Së treti, drejtuesit e drejtorive vendore të Policisë, me stafet e tyre, do të zhvillojnë konferenca mujore për të bërë transparente punën, rezultatet dhe sfidat në çdo qark”.
“Së katërti, për ngjarje me impakt të lartë publik apo operacione të rëndësishme policore, Policia e Shtetit do të informojë në kohë dhe në mënyrë të plotë, nëpërmjet kanaleve zyrtare”.
Në fund, ai theksoi filozofinë e re të institucionit:
“Ky vendim nuk vjen rastësisht, por është rezultat i një reflektimi serioz mbi reagimet e shumta të qytetarëve për mënyrën se si përcillen lajmet kriminale. Kjo nuk është një tërheqje nga transparenca, përkundrazi, është një hap përpara drejt një transparence më cilësore dhe më profesionale. Qëllimi ynë nuk është thjesht të informojmë më shumë, por të informojmë më drejt, më saktë dhe gjithmonë në interes të sigurisë së çdo qytetari”.
Ai shtoi se synimi është një komunikim që “informon, por nuk alarmon”, duke ruajtur balancën mes transparencës dhe përgjegjësisë publike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



