Nga prangat te luksi, Ergys Agasi me “Richard Mille” në dorë
Një detaj në foton e Ergys Agasit, i cili u arrestua në zonën e Plepave në Durrës, ka tërhequr vëmendjen e publikut: ora luksoze që ai mban në dorë edhe në momentin e prangosjes.
Bëhet fjalë për një orë të markës Richard Mille, një prej emrave më të njohur në segmentin e orëve luksoze dhe ekskluzive.
Modelet e kësaj marke kanë çmime që variojnë ndjeshëm në varësi të modelit, materialeve, mekanizmit dhe rrallësisë së ekzemplarit. Disa prej tyre kushtojnë rreth 150 mijë euro e sipër, ndërsa modelet më të rralla mund të arrijnë në 300-400 mijë euro.
Në rastet e modeleve më ekskluzive, çmimi mund të shkojë edhe në miliona euro, duke e bërë një orë të tillë të krahasueshme në vlerë me një apartament apo edhe një vilë luksoze.
Detaji është vënë re në pamjet e publikuara pas arrestimit të Agasit, ndërsa ndaj tij rëndojnë akuza në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen e AKSHI-t.
Agasi u arrestua nga Forcat Operacionale në Durrës, ndërsa sipas raportimeve, në momentin e ndalimit ndodhej në automjet së bashku me Uljan Shpatarakun, i cili ishte gjithashtu person i shpallur në kërkim.
Ora luksoze në dorën e tij ka bërë që vëmendja të përqendrohet edhe te pasuria dhe asetet e sekuestruara gjatë hetimit, ku sipas të dhënave të bëra publike, Agasit i janë sekuestruar 29 pasuri, mes tyre apartamente, vila, toka, garazhe, llogari bankare dhe pjesë në një resort.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



