Fiton 365 mijë euro tender për mbetje spitalore me ofertën më të shtrenjtë
Tregu i trajtimit dhe asgjësimit të mbetjeve spitalore në Shqipëri vijon të ngrejë pikëpyetje mbi mënyrën e shpërndarjes së fondeve publike dhe përzgjedhjes së operatorëve ekonomikë. Një nga rastet më të fundit lidhet me shpalljen fituese të kompanisë “V.A.L.E Recycling”, në pronësi të Elvis Mirit, për një tender me vlerë rreth 365 mijë euro.
Sipas dokumenteve zyrtare të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, më 16 prill 2026 është përmbyllur procedura për “trajtim dhe asgjësim të mbetjeve të rrezikshme spitalore”, me një fond limit prej mbi 35 milionë lekësh dhe afat zbatimi 24 muaj.

Ajo që bie në sy në këtë procedurë është fakti se kompania e Mirit është shpallur fituese, edhe pse oferta e saj financiare ka qenë më e lartë se ajo e një konkurrenti tjetër. Konkretisht, kompania “MEDI-TEL” paraqiti ofertë më të ulët, por u rendit më poshtë për shkak të sistemit të vlerësimit me pikë, ku kriteri kryesor ishte “oferta ekonomikisht më e favorshme” dhe jo çmimi më i ulët.

Në bazë të këtij sistemi, “V.A.L.E Recycling” arriti të sigurojë më shumë pikë totale, duke kaluar rivalin dhe duke u shpallur përfundimisht fituese, pavarësisht diferencës së ndjeshme në çmim.
Ky zhvillim rikthen në vëmendje të kaluarën e administratorit të kompanisë. Elvis Miri është përfshirë më herët në hetime për çështje që lidhen me tenderat publikë në sektorin e mbetjeve spitalore. Në vitin 2024 ai u arrestua me dyshimet për falsifikim dokumentesh dhe parregullsi në procedurat e prokurimit, ndërsa u hetua edhe për mungesë të pajisjeve të nevojshme për realizimin e kontratave.
Pas arrestimit, autoritetet pezulluan përkohësisht lejen mjedisore të kompanisë, por kjo masë u kundërshtua në gjykatë. Më pas, me një vendim të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, u vendos pezullimi i zbatimit të aktit administrativ deri në përfundimin e shqyrtimit të çështjes.
Në muajt që pasuan, situata ndryshoi ndjeshëm. Fillimisht u hoqën kufizimet për pjesëmarrjen në tendera dhe në janar të vitit 2025, Miri u rikthye zyrtarisht në drejtimin e kompanisë së tij.

Ndërkohë, ky nuk është rasti i vetëm i përfshirjes së tij në kontrata publike. Më herët, ai kishte arritur të siguronte edhe një tjetër tender me vlerë të konsiderueshme në një institucion shëndetësor, çka ka ngritur vazhdimisht dyshime mbi mënyrën e përzgjedhjes së operatorëve në këtë sektor.
Zhvillimet e fundit sugjerojnë se, pavarësisht hetimeve dhe problematikave të së kaluarës, aktiviteti i kompanisë në tenderat publikë vijon pa pengesa, ndërsa mbetet për t’u parë nëse institucionet do të thellojnë verifikimet mbi këto procedura./Voxnews







