Nga rrugët te spitalet pa drita, Topalli i numëron aferat mazhorancës
Deputetja Jozefina Topalli ka sulmuar ashpër mazhorancën gjatë fjalës së saj në Kuvend, duke renditur një sërë aferash dhe skandalesh që, sipas saj, dëshmojnë dështimin e qeverisjes. Ajo u ndal veçanërisht te investimet në infrastrukturë, duke përmendur rrugë dhe tunele që, sipas saj, dëmtohen ose prishen ende pa përfunduar, madje që në reshjet e para të shiut.
Topalli kritikoi ashpër kontrastin mes retorikës qeveritare dhe realitetit me të cilin përballen qytetarët, duke ironizuar deklaratat për projekte madhore si satelitët apo industria e armëve, ndërkohë që shërbimet bazë, sipas saj, janë në kolaps. Ajo solli si shembull një rast të fundit, ku urgjenca e një spitali mbeti pa energji elektrike, pasi gjeneratorët nuk funksionuan gjatë ndërprerjes së dritave.
“Ka momente kur politika duhet ta thotë të vërtetën pa zbukurime. Ne kemi jetuar për vite me radhë në një normalitet të rremë, të ushqyer nga gënjeshtra dhe premtime të mëdha, ndërsa qytetarët jetojnë gjithnjë e më keq”, u shpreh Topalli. Sipas saj, hendeku moral i kësaj qeverie është i thellë: nga fjalimet për satelitë, te errësira në shtretërit e të sëmurëve.
Deputetja theksoi se fuqia blerëse e qytetarëve shqiptarë është ndër më të ultat në rajon, ndërsa familjet detyrohen të numërojnë qindarkat për të përballuar jetesën. Në të njëjtën kohë, sipas saj, qeveria vijon të promovojë projekte boshe dhe propagandë.
Në fjalën e saj, Topalli përmendi edhe arrestimet dhe hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, duke folur për ministra të përfshirë në afera korrupsioni dhe një sistem që, sipas saj, po shembet nga brenda. “Rrugët nuk çahen nga pesha e makinave, por nga pesha e korrupsionit. Tunelet pikojnë ende pa u hapur, sepse ndërtohen për tendera dhe jo për jetën e njerëzve”, tha ajo.
Në fund, Topalli kritikoi ashpër edhe procesin e digjitalizimit, duke e cilësuar si një mashtrim të ri, përmes të cilit, sipas saj, miliona euro nga buxheti i shtetit përqendrohen në një rreth të ngushtë të lidhur me pushtetin, përmes AKSHI-t.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



