E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nga Turqia në Belgjikë, ekstradohet “Maradona” i SKY ECC
Lajme

Nga Turqia në Belgjikë, ekstradohet “Maradona” i SKY ECC

Edhe në Turqi, bosët e drogës nuk duken më të sigurt si dikur. Javën e kaluar u realizua ekstradimi i shqiptarit Flamur Sinanaj drejt Belgjikës, pas një beteje të gjatë ligjore që zgjati mbi dy vjet.

51-vjeçari mbërriti të enjten në Belgjikë me një fluturim komercial nga Turqia, nën shoqërimin e agjentëve të policisë federale. Sinanaj kishte qëndruar rreth dy vite e gjysmë në një burg turk duke pritur vendimin përfundimtar për ekstradimin.

Pseudonimi “Maradona” në SKY ECC

Shqiptari me origjinë nga Anversa, i cili për një kohë të gjatë kishte jetuar në Deurne, përdorte pseudonimin “Maradona” në platformën e komunikimit të botës së krimit SKY ECC. Në botën reale ai njihej edhe me nofkën “Baksteen”.

Në Belgjikë, Sinanaj ishte dënuar që në vitin 2010 me tetë vite burg për trafik droge. Tani prokuroria belge kërkoi ekstradimin e tij për ta përballur me një proces shumë më të madh penal.

Ai pritet të gjykohet në procesin e njohur si “Bressers”, ku dyshohet se kishte një rol kyç në trafikun e kokainës drejt Evropës Perëndimore.

Sipas aktakuzës, grupi i drejtuar nga Sinanaj nxirrte kokainën nga kontejnerët që kontrabandoheshin në portet evropiane. Përveç kësaj, ai dyshohet se vepronte edhe si korrier parash, duke transportuar rreth 17 milionë euro për llogari të organizatës kriminale.

Procesi “Bressers” është pezulluar përkohësisht pasi u pranua një kërkesë për përjashtimin e një gjyqtari nga çështja. Gjykata pritet të mblidhet sërish më 16 mars me një trupë të re prej tre gjyqtarësh për të vendosur vijimin e procedurës.

Turqia, strehë e re për kriminelët në arrati

Ekstradimi i kriminelëve të drogës nga Turqia drejt Belgjikës konsiderohet një rast i rrallë. Për vite me radhë, shumë persona të kërkuar nga drejtësia janë zhvendosur nga Dubai drejt Turqisë.

Një nga arsyet lidhet me ligjin turk për shtetësinë. Që nga 6 janari 2022, të huajt që investojnë rreth 500 mijë dollarë ose blejnë prona mund të përfitojnë shtetësinë turke. Kjo mundësi u shfrytëzua edhe nga persona në arrati që kërkonin një vend më të sigurt për të jetuar.

Arratisja nga Belgjika dhe shtetësia turke

Sipas mediave belge, Sinanaj dhe partneri i tij boshnjak Sani al Murdaa u larguan nga Anversa drejt Dubait në vitin 2023, pas përfshirjes në një seri sulmesh hakmarrëse.

Në mars të atij viti, një sulm u krye ndaj një restoranti në Wilrijk, ku Al Murdaa ishte themelues.

Nga Dubai, ata u zhvendosën në Turqi dhe përfituan shtetësinë turke. Fillimisht kjo i mbrojti nga ekstradimi, pasi një shtet zakonisht nuk ekstradon qytetarët e vet.

Por pasi media lokale zbuloi identitetin e tyre dhe aktivitetin kriminal, autoritetet turke vendosën t’u heqin shtetësinë. Qeveria turke nuk dëshironte që ligji për shtetësinë të përdorej si një strehë për kriminelët.

Megjithatë, procedura e ekstradimit zgjati më shumë se dy vite.

Ndërkohë, Sani Al Murdaa vazhdon të jetë i zhdukur dhe nuk dihet nëse ndodhet ende në Turqi. Javën e kaluar ai u dënua në mungesë në Dendermonde me 15 vite burg për rolin e tij në çështjen “Kookwas”, ku kokaina transportohej drejt Belgjikës dhe përpunohej duke u fshehur edhe në materiale si çimento apo ton.

Pasuritë e sekuestruara nga SPAK

Në Shqipëri, ndaj Sinanajt është zhvilluar edhe një hetim pasuror nga SPAK, i cili ka çuar në sekuestrimin e disa pasurive dhe llogarive bankare.

Mes tyre janë:

  • Apartament me sipërfaqe 76.5 m² në rrugën “Muhamet Gjollesha”, Tiranë, i blerë për 70.000 euro.

  • Njësi me sipërfaqe 163 m² në të njëjtën rrugë, me vlerë 280.000 euro.

  • Apartament 123 m² në rrugën “Reshit Petrela”, Tiranë, me vlerë 15.990.000 lekë.

  • 7 llogari bankare në banka të nivelit të dytë me vlerë totale 660.854 euro.

  • 3 llogari bankare të tjera me rreth 7.574.664 lekë.

  • Motor uji Yamaha Jetski, prodhim i vitit 2016.

  • Varkë Yamaha 242X Limited USA, prodhim i vitit 2017, me gjatësi 7.45 metra.

  • Automjet GMC Sierra SLT, prodhim i vitit 2011.

  • Automjet Mercedes-Benz B180 CDI, prodhim i vitit 2012.

Çështja në Turqi

Emri i Sinanajt u përmend gjerësisht në mediat turke verën e kaluar, pasi një kërkesë për ekstradimin e tij u refuzua fillimisht nga autoritetet e atjeshme.

Sipas gazetës turke “Sözcü”, Sinanaj konsiderohej krahu i djathtë i Sani Al Murdaa. Dyshja dyshohej për përfshirje në trafikun e rreth 3.2 tonë drogë, të kapur në Belgjikë në vitin 2021.

Më 3 nëntor 2022 Belgjika kërkoi zyrtarisht ekstradimin e tij. Fillimisht Turqia e refuzoi kërkesën, pasi ai dhe familja e tij kishin marrë shtetësinë turke përmes blerjes së pronave.

Më vonë, më 4 gusht 2023, shtetësia iu hoq dhe më 7 gusht ai u arrestua në Bodrum teksa ndodhej me pushime.

Pas arrestimit, nisi një proces gjyqësor në Turqi për ekstradimin e tij, të cilin Sinanaj e kundërshtoi, por në fund autoritetet turke miratuan transferimin drejt Belgjikës.

Biznesmen në Shqipëri

Në një artikull të publikuar në tetor 2023, gazetari turk Ismail Saymaz shkruante se Sinanaj kishte hyrë edhe në botën e biznesit.

Sipas tij, transformatorët që importonte nga Kina i shiste në Shqipëri.

Të dhënat e Qendra Kombëtare e Biznesit tregojnë se ai zotëronte 100% të kuotave të kompanisë “POWER A4”, e themeluar në shtator 2018.

Objekti i kompanisë përfshinte import-eksportin e materialeve elektrike, telekomunikacionit dhe sistemeve të alarmit.

Në maj të vitit 2021, Gjykata e Posaçme vendosi sekuestrimin e plotë të kuotave të kompanisë me kërkesë të SPAK. Sipas historikut të regjistruar në QKB, kompania vazhdon të jetë ende nën sekuestro.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.