E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ngrihet njësi e re në Policinë e Shtetit, zbardhet fokusi i strukturës së re
Lajme

Ngrihet njësi e re në Policinë e Shtetit, zbardhet fokusi i strukturës së re

Lamallari: “Për Policinë, zjarri nuk përfundon kur fiket”

Hita: “Kushtojini rëndësi të tre komponentëve të sigurisë: Sigurisë Publike, Sigurisë Rrugore dhe Sigurisë Detare”

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me drejtuesit vendorë të Policisë së Shtetit, ku në fokus kanë qenë siguria publike, përballimi i situatave të krijuara nga zjarret dhe forcimi i strukturave policore në funksion të parandalimit dhe hetimit të veprave penale.

Gjatë takimit, Lamallari bëri të ditur se në strukturat e Policisë së Shtetit do të krijohet një njësi e re me fokus të posaçëm te krimet mjedisore. Sipas tij, mbrojtja e mjedisit dhe hetimi i rasteve të dyshuara si vepra penale do të marrin një vëmendje të veçantë nga strukturat e policisë.

Në bashkëpunim me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ministri kërkoi gjithashtu një qasje më proaktive ndaj situatës së zjarreve, duke theksuar se puna e policisë nuk duhet të përfundojë me shuarjen e flakëve.

“Për Policinë, zjarri nuk përfundon kur fiket. Aty fillon pyetja se pse ndodhi, kush e shkaktoi dhe nëse pas tij fshihet një vepër penale. Detyra jonë është që çdo zjarr të dyshimtë të hetohet profesionalisht, në bashkëpunim të ngushtë me shërbimin zjarrfikës, Emergjencat Civile, bashkëpunimi me komunitetin, shfrytëzimi i teknologjisë dhe ekspertizës më të mirë forenzike brenda dhe jashtë vendit, si dhe Prokurorinë, me qëllim që çdo provë dhe autor i dyshuar të ndiqet deri në fund. Vetëm zjarret këtë vit, dëmi i tyre është i pallogaritshëm, si në fondin pyjor. Sa vite, sa gjenerata i duhet atij fondit pyjor të rikuperohet”, deklaroi Lamallari.

Ministri i Brendshëm nënvizoi kështu nevojën që rastet e zjarreve të dyshimta të mos trajtohen vetëm si situata emergjente, por edhe si ngjarje që duhet të hetohen për të përcaktuar shkaqet dhe përgjegjësit e mundshëm.

Nga ana tjetër, drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u kërkoi drejtuesve vendorë që të rrisin angazhimin në tre fusha kryesore të sigurisë: sigurinë publike, sigurinë rrugore dhe sigurinë detare.

Hita kërkoi që strukturat vendore të policisë të reagojnë në kohë, si në drejtim të parandalimit, ashtu edhe në ndjekjen e konflikteve dhe shqetësimeve të qytetarëve.

“Kushtojini rëndësi të tre komponentëve të sigurisë: Sigurisë Publike, Sigurisë Rrugore dhe Sigurisë Detare. Reagoni në kohë, si në parandalim, ashtu edhe në ndjekjen dinamike dhe profesionale të konflikteve dhe shqetësimeve të qytetarëve. Çdo komponent i sigurisë kërkon angazhim dhe përgjegjshmëri, dhe rezultatet varen nga mënyra se si secili prej nesh e përmbush detyrën. Kur flasim për performancë, nuk flasim vetëm për rezultatet që arrijmë në terren. Performanca është edhe mënyra se si sillemi me qytetarët, mënyra si komunikojmë me ta dhe mënyra si komunikojmë me median. Qytetarët duhet ta kenë Policinë pranë, të marrin përgjigje në kohë dhe të shohin profesionalizëm në çdo situatë. Ju falënderoj për punën dhe angazhimin tuaj dhe pres që këto porosi t’i shikoj të reflektuara në punën tuaj të përditshme”, tha Hita.

Takimi vjen në një periudhë kur zjarret dhe pasojat e tyre kanë sjellë dëme të konsiderueshme në fondin pyjor dhe kanë shtuar nevojën për forcimin e mekanizmave të parandalimit dhe hetimit. Përmes strukturës së re për krimet mjedisore dhe qasjes së kërkuar ndaj zjarreve, drejtuesit e Policisë së Shtetit synojnë që reagimi institucional të mos kufizohet vetëm te ndërhyrja në terren, por të shtrihet edhe te identifikimi i shkaqeve, mbledhja e provave dhe ndjekja e autorëve të dyshuar.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.