E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nisin kontrollet në të gjithë vendin për mjetet luksoze
Lajme

Nisin kontrollet në të gjithë vendin për mjetet luksoze

Policia e Shtetit ka intensifikuar kontrollet në të gjithë vendin ndaj personave që lëvizin me automjete luksoze, duke vendosur në fokus jo vetëm dokumentacionin e mjeteve, por edhe burimin e pasurisë që qëndron pas tyre.

Verifikimet po kryhen si në mënyrë të drejtpërdrejtë në terren, gjatë ndalimit të automjeteve në qarkullim, ashtu edhe mbi bazën e të dhënave dhe listave të personave të evidentuar nga strukturat policore për shkak të dyshimeve mbi origjinën e parave me të cilat financojnë automjetet apo mënyrën e tyre të jetesës.

Në kuadër të këtyre kontrolleve, automjetet luksoze që identifikohen në qarkullim ndalohen dhe u nënshtrohen verifikimeve. Në rast se gjatë kontrollit evidentohen sende me vlerë, para apo elementë të tjerë që kërkojnë sqarim, kontrollet mund të shtrihen edhe në banesat dhe pasuritë e personave të përfshirë.

Një prej rasteve të fundit është regjistruar në Roskovec, ku në kuadër të operacionit të koduar “Gold” është ndaluar për kontroll një “Porsche Cayenne”, që drejtohej nga 30-vjeçari Armando Bixheku.

Gjatë kontrollit të automjetit, policia gjeti 9 monedha floriri dhe 4 lingota floriri, ndërsa në makinë u sekuestruan gjithashtu 4 mijë euro dhe 93 mijë lekë.

Sipas Policisë së Shtetit, 30-vjeçari nuk kishte dokumentacion që të provonte origjinën apo burimin e floririt dhe parave të gjetura në automjet.

Pas kontrollit të “Porsche”-s, verifikimi është shtrirë edhe në banesën e Bixhekut. Ndaj tij janë ngritur dyshime dhe po hetohet për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”.

Rasti i Roskovecit është pjesë e një plani më të gjerë kontrollesh që po zhvillohet në disa qarqe të vendit. Në fokus janë persona të evidentuar për verifikim të pasurisë dhe burimit të të ardhurave, veçanërisht kur pasuria e deklaruar dhe mënyra e jetesës ngrejnë pikëpyetje për autoritetet.

Operacionet po vijojnë me përfshirjen e strukturave të ndryshme të Policisë së Shtetit, ndërsa kontrollet nuk kufizohen vetëm te automjetet. Në varësi të gjetjeve gjatë ndërhyrjeve, verifikimet mund të shtrihen edhe te pasuritë dhe sendet me vlerë të personave të kontrolluar.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.