Një fëmijë lufton për jetën, shteti fle gjumë!

 Monopatinat po vijojnë të jenë rrezik!

Igli Çelmeta

Një 11-vjeçar ndodhet në spital duke luftuar për jetën. Dhe ndërkohë që një nënë lutet për djalin e saj, rrugët e Tiranës vazhdojnë të jenë skena kaosi. Zero reagim nga autoritetet. Zero përgjegjësi.

Edhe pas kësaj ngjarjeje të rëndë, pamjet flasin vetë, ku dy fëmijë të mitur lëvizin sërish me monopatinë në rrugë urbane, pa asnjë kontroll, pa asnjë ndërhyrje nga Policia Rrugore e Tiranës, e cila duket se vijon të flejë gjumë.

Ky nuk është më një paralajmërim, është një alarm i ndezur fort. Po i rrezikohet jeta fëmijëve tanë! Ata janë në rrugë, shpesh pa kaskë, pa drejtim, pa dijeni për rregullat e qarkullimit, në mes të trafikut, ku një çast i vogël mjafton për tragjedi të madhe. Por rreziku nuk është vetëm për ta edhe për qytetarët e tjerë që ndodhen në rrugë, monopatinat janë kthyer në rrezik real.

Këshillë për Policinë Rrugore të Tiranës. Nëse nuk jeni në gjendje t’i ndaloni, të paktën bëni detyrën tuaj minimale, dilni në rrugë, këshilloni përdoruesit, ndaloni të miturit, sekuestrojuni monopatinat atyre që janë nën moshën 18-vjeç. Ndërsa për ata që janë në moshë madhore, vendosini para përgjegjësisë, paralajmërime, gjoba, udhëzim që të lëvizin vetëm në korsitë e dedikuara.

Shefi i qarkullimit të Policisë Rrugore të Tiranës nuk duhet të merret me nderrime turnesh e transferime efektivësh. Duhet të japë ide konkrete, të ngrejë struktura të posaçme dhe të zbatojë masa reale për të garantuar sigurinë në rrugë. Sepse qytetarët presin siguri, jo heshtje.

Publikuar nga Publik Media