Një tragjedi që përfaqëson dramën e një populli
Juljan Hoxha
Ajo që ka ndodhur sot në Korçë është një nga tragjeditë më tronditëse të viteve të fundit. Humbja e një jete, sepse pronari i shtëpisë i vë flakën banesës pasi kërkon të nxjerrë jashtë qiraxhinjtë, tregon dëshpërimisht se në çfarë situate jemi!
E gjithë kjo ndodhi teksa Edi Rama i tregonte Kanye West kopshtin e Edenit, që ka kushtuar 4.7 milionë euro, tavolinën ku firmosi VKM-në për 4.2 milionë euro, që të mos turpërohej me Kanye West, dhe, mbi të gjitha, tavolinën vezake ku firmos vendimet e KKT-së për lejet e ndërtimit të kullave e resorteve, me qëllim që “çunat” të pastrojnë paratë e “miellit” amerikano-latin!
Pikërisht pastrimi i parave të drogës, i miksuar me paratë e korrupsionit, është shkaku pse sot Shqipëria ka çmimet më të larta të qirave apo shitjeve të pronave në Europë, llogaritur sipas të ardhurave për frymë!
Tragjedia e Korçës nuk do të ishte çudi të përsëritej në Tiranë e në bregdet, aty ku narkotrafiku po e kthen jetën e shqiptarit të zakonshëm në një udhëtim të shpejtë drejt ferrit!
Si e përballon një familje e re qiranë prej 730 eurosh në Tiranë?
Sa punë duhet të bëjë një prind për të paguar qiranë?
Sa punë duhet të bëjë një prind për t’i siguruar fëmijës ushqim, arsim, edukim, aktivitete sociale, sportive e kulturore, argëtim, veshje etj.?
Si e përballon jetesën një familje me të ardhura mesatare në Tiranë e në zonat bregdetare, ndërkohë që për ushqimin, strehimin, transportin, edukimin etj., paguan më shtrenjtë se çdo familje tjetër në Europë?
Kjo është drama që shpërfaq tragjedia e Korçës!
Ndaj, thirrja ime drejtuar opozitës është:
Të propozojë një ligj të posaçëm që rregullon strehimin e përkohshëm, ku qiratë për familjet e reja, studentët, grupet e margjinalizuara, të moshuarit etj., të mos kalojnë një vlerë të përcaktuar në raport me pagën mesatare në vend.
Të kufizohet në 30–40% dhënia e apartamenteve përmes Airbnb.
Të përcaktohet me ligj që kontratat e qirasë për banimin e grupeve të mësipërme të jenë jo më pak se tre vjet dhe që çmimi, brenda kësaj periudhe, të mos ndryshojë.
Shteti të heqë barrën fiskale për pronarët që apartamentet e dyta i japin me qira për familjet.
Këto dhe pika të tjera duhet të merren urgjentisht në konsideratë për të ndryshuar jetesën e dhjetëra mijëra familjeve në Tiranë dhe në zonat bregdetare
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



