Një vend i korruptuar, një popull që bashkëjeton me të keqen dhe media e blerë

Shqipëria në pasqyrën britanike

Nga Naim Noka

Një komb nuk zhytet në korrupsion vetëm prej pushtetarëve të tij, por edhe nga normalizimi i kësaj sëmundjeje në ndërgjegjen kolektive të shoqërisë. Kjo është ndoshta gjetja më therëse e hulumtimit të porositur nga Qeveria Britanike për kompaninë ‘IDRA Research and Consulting’ duke zbuluar se 91% e qytetarëve mendojnë se  fenomeni i korrupsionit dhe krimit të organizuar  është problem madhor në Shqipëri. Një realitet i pranuar pothuajse me përulësi dhe pa shpresë, që po çimenton një kulturë të kalbur, ku ndershmëria shihet si naivitet dhe drejtësia si luks i paarritshëm.

Rezultatet janë tronditëse: 91% e qytetarëve shqiptarë e shohin korrupsionin si një problem madhor, një fenomen që ka kapërcyer kufijtë e abuzimit të zakonshëm dhe ka hyrë në sistemin nervor të jetës së përditshme. Nga shërbimet në spitale te notat e blera, nga vendet e punës të siguruara me ndërhyrje, deri te tenderët qindra milionë euro që maskojnë pastrimin e parave të pista nga krimi i organizuar.

Por ajo që është edhe më dramatike, është vetëdija kolektive për këtë fenomen – e shoqëruar me një dorëzim po aq kolektiv. Siç evidenton raporti, qytetarët nuk e shohin më ryshfetin si devijim, por si një mekanizëm të domosdoshëm për mbijetesë. Në shumë raste, ryshfeti jepet edhe pa u kërkuar, nga frika se, në mungesë të tij, mund të përjashtohesh nga çdo shërbim apo mundësi.

Në këtë Shqipëri të deformuar moralisht, institucionet janë vetëm hijet e vetvetes. Politika ka kapur administratën publike deri në palcë, ndërsa krimi i organizuar – i armatosur me para të freskëta, ndikim dhe lidhje të fuqishme – po blen jo vetëm prona dhe biznese, por edhe heshtje, kontroll mbi tendera, dhe vendimmarrje politike.

Dikur njerëzit kishin frikë nga shteti. Sot kanë frikë nga mungesa e tij.

Raporti është i qartë: qytetarët ndihen të pambrojtur. Në Fier, Elbasan, Shkodër dhe jo vetëm, bandat janë bërë pjesë e përditshmërisë. Ato kontrollojnë territore, ndikojnë në çmime, qarkullimin e kapitalit, madje edhe zgjedhjet. Janë kthyer në “institucione” paralele – dhe shpesh më funksionale se vetë shteti.

Por nuk është vetëm krimi problemi. Është lidhja e tij me politikën. Është kjo aleancë e errët që ka gjeneruar një sistem ku meritokracia është e përjashtuar, dhe vendimmarrja është e ndërtuar mbi pazare, jo mbi parime. Ky është modeli që ka zëvendësuar shtetin e së drejtës.

Në këtë kontekst të zymtë, media shqiptare ka dështuar në misionin e saj si roje e demokracisë. Jo për mungesë gazetarësh të ndershëm, por sepse një pjesë e madhe e mediave janë kthyer në instrumente kontrolli, frikësimi dhe manipulimi. Raporti britanik konfirmon atë që ne në Publik.al e kemi denoncuar vazhdimisht: shumica e mediave të mëdha janë të kapura dhe shërbejnë si amplifikatorë të propagandës qeveritare.

Jo pak herë, këto media lavdërojnë të fortët dhe kriminelët, duke shuar çdo zë kritik dhe duke ofruar hapësira të rezervuara për “kasetat e montuara” të Kryeministrit Rama. Në vend që të mbrojnë interesin publik, ato i shërbejnë interesave private dhe politike.

Besimi i publikut te media është në rënie të lirë. Vetëm 20% e qytetarëve i konsiderojnë të besueshme lajmet që lidhen me korrupsionin dhe krimin. Kjo për shkak të ndikimit të hapur të grupeve me pushtet, mungesës së gazetarisë investigative dhe komoditetit të redaksive që shmangin të vërtetën në emër të favoreve financiare.

Në këtë realitet të rrëshqitshëm, vetmia e SPAK-ut është shqetësuese. Po, SPAK është kthyer në një simbol shprese. Por një simbol i vetëm nuk mban dot peshën e një shteti të tërë. Pa një polici të pastër, pa një administratë publike që nuk është në shërbim të partive, pa një media të lirë dhe kritike, SPAK nuk mund të bëjë më shumë se goditje simbolike në një sistem të kalbur.

Është tragjike që një popull i tërë të besojë se korrupsioni është normë.

Por tragjike nuk do të thotë e pashpresë – nëse ka ende zëra që nuk heshtin. Zoti pastë mëshirë për shqiptarët e vitit 2025!

Publikuar nga Publik Media