Një video turpëruese mes deputetëve dhe dy policëve civilë në protestë
Naim Noka
Në fakt edhe policia ka drejtues të inkriminuar dhe të lidhur me bandat e Suel Çelës, Troplinëve dhe Ergys Agasit, por kjo nuk e justifikon aspak sjelljen ndaj dy policëve civilë që ishin në mes të protestuesve.
Nga kjo video në rrjet, shumë qytetarë u gëzuan, por pati dhe reagim qytetar për dinjitetin dhe respektin ndaj punonjësve të thjeshtë të Policisë së Shtetit.
Nuk ishte normale për deputetët e PD, poshtërimi që iu bënë dy djemve të thjeshtë të policisë!
Duket këtu kemi prekur fundin edhe me deputetët që na përfaqësojnë në Kuvend si nga opozita dhe nga mazhoranca, duket se janë njësoj.
Këto pamje janë të turpshme për një deputet të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Deputetë që sillen si cuba kundër agjentëve civilë të policisë të cilët po kryejnë detyrën e tyre, edhe pse duhet parë roli i policisë.
Dy agjentët e policisë ruajtën qetësinë dhe nuk u sollën si cuba me deputetët e PD në video. Nuk ka asnjë të drejtë deputeti të prekë me dorë dhe të denigrojë policin. Por nuk kishte as policia të drejtë të godiste deputetin e PD Nallbati me shkopinj gome.
Edhe policët janë njerëz, kanë familje, kanë sedër, kanë fytyrë, nuk mund të sillesh në atë mënyrë kundrejt tyre.
Por këtu nuk kemi thjesht një incident rruge. Kemi një simptomë të degradimit institucional. Një deputet nuk është qytetar i zakonshëm në një protestë; ai përfaqëson sovranin, Kushtetutën, autoritetin e ligjvënësit. Kur ai përdor dorën për të shtyrë, për të poshtëruar apo për të provokuar një efektiv policie në detyrë, ai rrëzon jo vetëm autoritetin e policisë, por edhe peshën e mandatit të tij.
Po aq e vërtetë është se policia nuk është milici partiake. Ajo nuk ka të drejtë të reagojë me forcë disproporcionale ndaj një deputeti, siç goditi me shkop gome deputetin e opozitës Nallbati, pavarësisht provokimit.
Shteti i së drejtës nuk funksionon me instinkt, por me proporcionalitet dhe përgjegjësi. Nëse një efektiv tejkalon kompetencat, ka mekanizma disiplinorë dhe penalë për ta hetuar. Por asgjë, absolutisht asgjë, nuk justifikon poshtërimin publik të dy punonjësve të thjeshtë që po kryenin detyrën në terren.
Në Republikën e Ramës, siç e perceptojnë shumë qytetarë, ka humbur busulla morale. Por kriza nuk është vetëm e mazhorancës; është edhe e opozitës. Kur deputetë sillen si rrugacakë dhe jo si ligjvënës, kur përdorin statusin për të shtypur më të dobëtin në hierarki, atëherë kemi hyrë në një fazë të rrezikshme të banalizimit të pushtetit.
Një polic punon me një rrogë modeste për të mbajtur familjen. Deputeti paguhet disa herë më shumë për të përfaqësuar qytetarët me dinjitet dhe për të kontrolluar qeverinë. Nëse energjia e tij shpenzohet për të shtyrë dy efektivë në mes të turmës, atëherë kemi dështim funksional të rolit parlamentar.
Fjala e urtë thotë: “Nuk i bien dot gomarit dhe i bien samarit”. Kur opozita nuk ka kurajë të përballet institucionalisht me qeverinë me interpelanca serioze, me komisione hetimore funksionale, me betejë ligjore e politike në Kuvend ajo e zhvendos frustrimin tek hallka më e dobët: polici në terren. Kjo nuk është trimëri. Është dobësi.
Protesta është e drejtë kushtetuese. Është oksigjen i demokracisë. Por protesta nuk është licencë për të shkelur dinjitetin e individit me uniformë. Polici nuk është armiku politik; ai është zbatuesi i rendit publik. Lufta politike bëhet me mazhorancën, me qeverinë, me strukturat vendimmarrëse – jo me dy djem të rinj që mbajnë uniformën për bukën e fëmijëve të tyre.
Hiqni duart nga policët. Ata janë qytetarë si ne, me përgjegjësi dhe kufizime ligjore. Nëse ka drejtues të inkriminuar apo lidhje të errëta në nivele të larta, betejën bëjeni atje ku merren vendimet, jo në asfalt me efektivët civilë. Sepse kur deputeti zbret në nivelin e shtyrjes fizike, ai ka humbur debatin politik.
Dhe kjo është ajo që qytetarët panë në video: jo forcë, por dobësi; jo autoritet, por nervozizëm; jo opozitë dinjitoze, por krizë përfaqësimi. Shqipëria nuk ka nevojë për deputetë që shfryjnë mbi policë. Ka nevojë për politikanë që përballen me pushtetin, jo me uniformën.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



