Mentor Kikia
Një burrë, që punonte si postier, u vra sot në mëngjes në Kamëz. Brenda në makinën e tij të punës. Çfarë kusuresh mund të ketë një njeri që punon postier, për të merituar një ndëshkim të tillë? Mediat referojnë burime të policisë, që thonë se motivi i krimit mund të jetë hakmarrja/gjakmarrja. Sepse vëlli i tij kishte vrarë një njeri në viti 1997.
Sa shumë krime janë kryer në emër të hakmarrje/gjakmarrjes?
Sa djem e burra janë vrarë për të paguar krimin e vëllait, babait, djalit, nipit, xhaxhait, kushëririt të tretë…?
Çfarë race jemi?
Shtatë breza vritemi për një pemë të egër që ka mbirë në mes të gardhit, e grindemi se kujt i përket.
Lëmë hakmarrjen amanet te nipër e stërnipër, edhe kur sherri ka buruar nga një ofendim apo një shpullë.
Ndjekim deri në Zelandën e Re viktimën e gjakmarrje/hakmarrjes, por këtu votojmë për deputet ish-oficerin e Sigurimit të Shtetit që na ka sajuar një dosje me shpifje, duke na internuar familjen e duke na marrë shtëpinë.
Vritemi edhe kur nxitojmë se kush të parkojë i pari makinën në vendin bosh.
Vritemi “për nder”, edhe “pse ma pe gruan me sy”, por nga ana tjetër votojmë për kryetar bashkie e deputet dikë që ka dërguar e skllavëruar si prosituta në semaforët e Europës gjysmën e vajzave të qytetit.
Si nuk u hakërryem, nuk u revoltuam, nervozuam, si nuk e ngritëm zërin dhe grushtin ndaj atyre që na kanë vjedhur e na vjedhin, na kanë mashtruar e na mashtrojnë, na kanë detyruar e na detyrojnë të largojmë fëmijët e të ikim nga sytë këmbët edhe vetë nga toka jonë, nga shtëpia jonë…?!
Drejtësia në shërbim të krimit:
Vëllai i postierit që u vra sot në Kamëz, për krimin që kishte kryer në 1997, ishte akuzuar për “Vrasje me dashje”, dhe ishte dënuar me vetëm 12 vjet burg.
Këto ditë, një gjykatëse në Gjykatën e Elbasanit, dënoi me vetëm 11 vjet burg një vrasës gjakftohtë. Ai vrau një kamerier në lokal sepse i tha se nuk mund të ulej në një tavolinë që ishte e rezervuar. Ai ishte i fortë dhe i forti ulet ku do ai. Autori i krimit është në arrati, nuk është kapur. Ai kishte pasur edhe më parë probleme me ligjin. Gjyqi iu bë në mungesë. Prokuroria kërkoi vetëm 20 vjet burg. Gjykata jep 17. Vrasësi është në arrati, ai iu shmang gjyqit, por gjykatësja pranoi kërkesën e avokatit për gjykim të shkurtuar, duke u ulur edhe 1/3 e dënimit.