Nuk iu bind urdhrit për të ndaluar, i mituri përplas makinën e policisë
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Vlorë, ku një 15-vjeçar ka përplasur qëllimisht një automjet të policisë në bulevardin “Ismail Qemali”, duke shkaktuar plagosjen e një efektiveje.
Sipas informacioneve paraprake, i mituri nuk i është bindur urdhrit të patrullës për të ndaluar dhe është larguar me shpejtësi, duke u ndjekur nga forcat e rendit që nga zona e Çoles. Ndjekja ka përfunduar në mënyrë dramatike, kur adoleshenti ka goditur mjetin e policisë, duke e përmbysur atë në mes të rrugës.
Përplasja ka qenë e fortë, duke lënë të lënduar një punonjëse policie, e cila është transportuar menjëherë drejt spitalit rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore. Burime bëjnë me dije se ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në incident është përfshirë edhe një automjet tip “Benz”, por fatmirësisht pa pasoja për drejtuesin apo pasagjerët.
I mituri është shoqëruar në komisariat, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje që tronditi qytetin bregdetar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



