Nuk ka peshore që të masë hallet e 55 vjeçarit nga Mirdita
Tiranë, mars e kusur i 2017-ës… Kryeqyteti ngjan i bukur në aspektin vizual, retina e syrit përçon drejt nervave ngjyra, bar e një realitet të shtirur që krijojmë përmes fasadave që kemi përpara vetes dhe sidomos atyre që ndërtojmë nga rrjetet sociale. Një trend i ri propagandë nga qeveritarët, opozitarët e deri te njerëzit e thjeshtë. Mundohemi të shitemi për atë që s’jemi duke krijuar një botë paralele. Nëse kthehemi me këmbë në tokë dhe tregohemi më të ndjeshëm arrijmë të dëgjojmë se në mes të Tiranës, ëndrra e një pjesë të popullsisë – asaj “të padukshmes”, reales – të ngjan e kobshme. Një drekë në Durrës, apo një çati mbi kokë…
Më rastis shpesh të kaloj përpara ish-hotel “Dajtit”, ndoshta e bëj edhe me qëllim, pasditeve… “Hajde peshore, peshoju çuni”, – është zëri i një gjyshi, xhaxhi, burri… njeriu. Ulur në stolin e tij blu, me syze dhe duart në xhepa duket si statujë. Një thirrmë që të ngjeth mishin, aq e pafajshme duket, në fakt besoj se ka një “djallëzi” të vogël për të ngjallur më shumë mëshirë. Afrohesh dhe qëndrimi i tij duket po aq grotesk, sa edhe më herët. “Peshohu, bir”, – përsëriti për herë të dytë.
Iu binda dhe vetvetiu e pyeta për çmimin, “300 lekë të vjetra”, – më tha me pak ndrojë, nga frika se do refuzoja. Fillova bisedën me të, e folura ishte e rëndë – verior, mendova – ashtu ishte, pasi siç më pohoi më vonë ishte mirditor.
Nisa bisedën shkujdesur e nëse pyetjeve të para hezitoi të përgjigjesh, më pas filloi të më hapej vetë, kishte nevojë të fliste edhe mbase të ulërinte për veten dhe jetën e tij.
“Jam 54 vjeç bir. Nuk dal për qejf këtu, por duhet të jetoj. A ia dal? Jam në varësi të kohës, nëse bie shi nuk dal as unë. Shpresoj të mos bie që të dal këtu në qoshkun tim. Në mëshirë të fatit. Qëndroj nga ora 5 pasdite deri në orën 11, ça të bëj. Punë? Ku ta gjej o bir, kam pyetur në shtet e në privat, ku s’kam pyetur. Profesion nuk kam, por një pozicion roje dua. E di se mosha nuk më favorizon, por të paktën një vend ku të punoj, të jem më i qetë. 66 kilogram… – e kuptoi përhumbjen, dhe më përsëriti – 66 kilogram je”. “Aha” – ia ktheva – “të falënderoj xhaxhi”.
E përshëndeta dhe nisa të eci përsëri, duket e ditur që pas kisha lënë 66 kilogram nga pesha ime modeste në atë peshore që më shumë se çdo gjë mbarte hallet, ndoshta edhe mallkimet e atij mesoburrë që kishte humbur besimin, ishte kthyer në “zezonik”, që shihte vetëm zi. Sa e pamëshirshme është bota, të përkulë deri në tokë një mirditor. Të rrëmbejë edhe krenarinë e tij për liri shekullore.
Ktheva dhe njëherë kokën pas dhe e pashë përsëri atë siluetë të fshehur në gjysmerrësirë, të kërrusur, më shumë nga hallet se nga mosha, ndërkaq “klithmat” e tij për bukë, “hajde peshore, hajde peshore”, këtë here nuk po përplaseshin vetëm në ajër, po përgjithmoheshin në smartfonin e një kokëshkreti… E megjithatë, kjo nuk kishte asnjëfarë vlere për mirditorin që më në fund kishte pranuar të dorëzohej, kishte nxjerrë flamurin e bardhë ndaj jetës dhe shpresës…
nga Eraldo Harlicaj
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



