Nuredin Dumani zbulon emrin kush e vrau kryekomisarin Dritan Lamaj

Në Gjykatën e Posaçme vazhdon përballja e Nuredin Dumanit me pjesëtarët që më pas u kthyen në rivalë të bandave në trekëndëshin Elbasan-Durrës-Tiranë.

Në seancën e sotme, Dumani ka folur edhe për vrasjen e ish-shefit të policisë në Komisariatin nr.6, Dritan Lamaj në 24 Shkurt 2013.

Ai ka treguar se kush qëndron pas vrasjes me pagesë.

“Pata një debat me një shef policie tek komisariati nr 6. Më qëlloi disa herë kur u arrestova. Por kur dola, mora vesh që e kishin vrarë. Mu bë qejfi për këtë. I thashë (Festim Qolit) do ju jap një drekë atyre çunave. Më tha Festimi, do ja japësh se vëllai jonë është. E kishte fjalën për Henrik Hoxhajn”, tha Dumani.

Pjesë nga seanca:

“Mu bë qejfi, do i jepja drekë çunave!”/ Nuredin

Avokatja e Altin Ndocit, Elda Zotaj: Si je njohur me Henrik Hoxhajn?

Dumani: Jam takuar në 30 dhjetor 19, por më kishte folur Festim Qoli për të. Më ka folur kur kam dalë nga burgu herën e parë, kur isha për dy makina të vjedhura. Pata një debat me një shef policie tek komisariati nr 6. Më qëlloi disa herë kur u arrestova. Por kur dola, mora vesh që e kishin vrarë. Mu bë qejfi për këtë. I thashë do ju jap një drekë atyre çunave. Më tha Festimi, do ja japësh se vëllai jonë është. E kishte fjalën për Henrik Hoxhajn.

Avokati: Ku e takove Henrikun?

Dumani: Njëherë e kam takuar në ditëlindjen e Festim Qolit. Atje vetëm jemi përshëndetur. Herën e dytë e takova tek hotel “Diplomat”. Kemi bërë muhabete me Festën dhe Henrikun. Diskutuam për atentatet që do bënin.

Avokati: Sa qëndruat aty?

Dumani: E morëm Henrikun në bllok dhe shkuam tek “Diplomati”. Pastaj shkuam tek një dyqan afër “Tajvanit” ku blemë një telefon të enkriptuar. Në plan kishim vrasjen e Dorian Shkozës.

Avokati: Ti çfarë pseudonimi mbaje në sky për kohën?

Dumani: Covid19.

Avokati: I the Henrikut kë do vrisnit?

Dumani: Jo, i thashë vetëm që për ketë do marrësh 35 mijë euro.

Avokati: Kush u përfshi tjetër në këtë vrasje.

Dumani: Kevis Alla, Asllan Plaku dhe unë. Klevisi ishte informator.

Ditën e ngjarjes, ishte Covid, Klevisi erdhi te shtëpia ime.

Avokati: Çfarë bëri atë ditë?

Dumani: Klevisi do sillte makinë dhe pastaj do ikte me makinën e Henrikut. Do ta vrisnim një natë më herët, por na u prish makina.

Avokati: I keni treguar Klevis Allës për motivin e vrasjes së Dorian Shkozës?

Dumani: Nuk më kujtohet.

Avokati: A ke pasur konflikt personal me Dorian Shkozën?

Dumani: Jo, nuk kam pasur.

Avokati: Po konflikt fizik?

Dumani: Asnjëherë.

Avokati: Kur vendose ta vrisje?

Dumani: Kur kam folur me Erion Alibeajn.

Avokati: A kishe qëllim të vrisje Anxhelo Avdinë?

Dumani: Asnjëherë.

Publikuar nga Publik Media