Operacion ‘blic’ në Lezhë, RENEA dhe Policia kontrolle intensive
Gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme dhe deri në agimin e kësaj të premteje, strukturat speciale RENEA, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit, kanë zhvilluar një operacion të gjerë kontrollesh në disa zona të qarkut Lezhë, me fokus kapjen dhe neutralizimin e personave të shpallur në kërkim.
Aksioni është shtrirë në një perimetër të konsiderueshëm, ku janë kryer kontrolle të detajuara në banesa, ambiente biznesi dhe hapësira të tjera të dyshuara, pas informacioneve operative që sinjalizonin se individë në kërkim mund të ishin strehuar në këto zona.
Burime nga terreni bëjnë me dije se kontrollet kanë qenë intensive dhe të koordinuara, duke përfshirë disa njësi dhe pika të ndryshme kontrolli.
Operacioni vjen në kuadër të goditjes së personave me precedent penal dhe forcimit të rendit e sigurisë publike, ndërsa pritet që autoritetet të japin detaje të mëtejshme mbi rezultatet e këtij aksioni.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



