Mes tyre edhe ish-shefi i krimeve në Tiranë
Shkodër | 11 Korrik 2025
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka lëshuar 13 urdhër-arreste në kuadër të një operacioni të gjerë antikanabis dhe antikokainë, i nisur në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Sipas burimeve zyrtare dhe konfirmimeve mediatike, deri në orët e paradites janë ekzekutuar 8 urdhër-arreste, ndërsa 5 persona të tjerë janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, mes tyre edhe emra të njohur të botës së krimit dhe ish-zyrtarë të policisë.
Në kërkim: Ish-shefi i krimeve në Komisariatin nr. 3, Erjon Dani
Në listën e të shpallurve në kërkim rezulton edhe Erjon Dani, ish-drejtues i krimeve në Komisariatin Nr. 3 në Tiranë. Dani, i cili kishte dhënë dorëheqjen nga Policia e Shtetit disa kohë më parë, dyshohet të ketë qenë pjesë e skemës kriminale, si një prej mbështetësve logjistikë të trafikut ndërkombëtar.
Bisedat në “Sky ECC” zbulojnë rrjetin ndërkombëtar të drogës
Operacioni është bazuar kryesisht në bisedat e dekriptuara në aplikacionin e siguruar “Sky ECC”, ku janë zbuluar komunikimet mes anëtarëve të grupit kriminal që trafikonin kokainë dhe heroinë nga Amerika Latine drejt Bashkimit Europian, përmes Shqipërisë dhe Italisë.
Sipas hetimeve, janë dokumentuar 11 episode konkrete të trafikut, ku grupi ka lëvizur nga 850 deri në 1000 kilogramë lëndë narkotike për çdo ngarkesë.
Drejtuesit e grupit në arrati në Dubai
Burime të rezervuara konfirmojnë se dy krerët e grupit kriminal ndodhen aktualisht në Dubai, ndërsa autoritetet shqiptare janë në komunikim me INTERPOL-in për ekstradimin e tyre të mundshëm.
Operacion i koordinuar me autoritetet italiane vijim i “Operacionit Ura”
Ky operacion përbën vazhdimësinë e “Operacionit Ura”, ku u godit rrjeti kriminal i Elvis Doçit, i njohur si “Visi i Pojës”, me bazë në Shkozet të Durrësit. Edhe në këtë rast, autoritetet italiane kanë qenë të përfshira në mbledhjen e informacionit dhe koordinimin e hetimeve ndërkufitare.
SPAK pritet të dalë gjatë ditës me një deklaratë zyrtare për shtyp, duke zbardhur emrat, rolet dhe detajet e plota të dosjes.