E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Orest Sota zbulon si ‘avulluan’ pronat e Equos-it tek Ergys Agasi
Lajme

Orest Sota zbulon si ‘avulluan’ pronat e Equos-it tek Ergys Agasi

Ergys Agasi, i shpallur në kërkim së bashku me Ermal Beqirin si të dyshuar për drejtimin e një grupi kriminal që vepronte brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, rezulton i përfshirë edhe në një tjetër çështje të ndjeshme që lidhet me pronësinë e një prej resorteve më të njohura në vend.

Sipas dëshmisë së biznesmenit Orest Sota, Agasi jo vetëm që kishte një zyrë brenda Equos Resort, por dyshohet se ka regjistruar në emrin e tij edhe pronat e këtij kompleksi, i cili rezulton në pronësi të biznesmenit Klodjan Allajbeu.

Këtë fakt e konfirmon vetë Sota, i cili shpjegon se babai i tij, Lefter Sota, kishte lidhur një kontratë me Allajbeun për ndërtimin e vilave në kompleksin Equos. Sipas marrëveshjes, pagesat do të kryheshin përmes kleringut dhe nëpërmjet vilave që do të ndërtoheshin në këtë projekt.

Në vijim të dëshmisë së tij, Orest Sota tregon se Agasit, me të cilin kishte marrëdhënie miqësore, i ishte vënë në dispozicion një zyrë brenda Equos Resort. Pikërisht në këto ambiente, më vonë do të zbuloheshin edhe shishe vere me vlerë prej mijëra eurosh.

Megjithatë, sipas Sotës, elementi më i rëndë i kësaj historie lidhet me faktin se pronat e resortit përfunduan të regjistruara në emër të Agasit.

“Tek Equos Resort nuk kishte asnjë pronë. Pas kontratës së shitjes me Klodjanin nuk u bënë ndryshime në QKB me administratorin e subjektit Equos, për arsye se nuk ishin bërë pagesat dhe unë nuk mora asnjëherë administrimin e pronës. Unë nuk jam marrë me administrimin e Equos. Më pas kam mësuar se Ergysi ka kaluar pronat e Equos Resort në emër të tij. Këtë gjë e kam mësuar nga shtetasi Klodjan Allajbeu. Kur ka ndodhur ky proces unë nuk kam qenë në dijeni. Kur ka ndodhur kjo, Ergysi nuk ka folur me asnjeri, as nuk ka pyetur njeri dhe as nuk ka bërë asnjë akt noterial lidhur me këto”, deklaron Orest Sota.

Ndërkohë, hetimet kanë avancuar dhe Prokuroria e Posaçme ka vendosur nën sekuestro pronat e regjistruara në emër të Agasit. Po ashtu, nën sekuestro janë vendosur edhe pasuri të personave të tjerë të përfshirë në këtë çështje, përfshirë ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.

Sipas dyshimeve të hetuesve, Agasi dhe Beqiri operonin përmes një strukture të organizuar me elementë paramilitarë, të cilët dyshohet se përfshiheshin në rrëmbimin dhe shantazhimin e biznesmenëve, me qëllim detyrimin e tyre për t’u tërhequr nga tenderat publikë.

Çështja vijon të jetë nën hetim, ndërsa detaje të reja pritet të dalin në dritë në ditët në vijim.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.