Pacolli akuzon Valon Ademin për përvetësimin e mbi 40 milionë eurove nga projekti i Aeroportit të Vlorës
Konflikti për administrimin e Aeroportit të Vlorës është përshkallëzuar me akuza të forta nga biznesmeni kosovar Behgjet Pacolli ndaj ish-ortakut të tij, Valon Ademi.
Në një reagim të gjatë të publikuar në rrjetet sociale, Pacolli pretendon se Ademi ka përvetësuar më shumë se 40 milionë euro nga fondet e kompanisë MABCO, përmes shoqërisë VIA, e cila lidhet me administrimin e aeroportit. Sipas tij, shuma e evidentuar deri më tani mund të jetë edhe më e lartë.
Pacolli akuzon ish-ortakun se për një periudhë të gjatë është paraqitur publikisht si mbrojtës i interesit kombëtar dhe si personi që synonte të shpëtonte aeroportin, ndërsa, sipas pretendimeve të tij, fondet e investimit janë përdorur për të paguar kompaninë e vetë Ademit.
Pacolli: U morën mbi 40 milionë euro pa investuar asnjë qindarkë
Sipas versionit të paraqitur nga biznesmeni, Ademi ka përdorur fondet e MABCO-s për të paguar fatura të kompanisë së tij 2A, pa procedura tenderimi dhe pa mundësi kontrolli nga ortaku që zotëron 98% të kuotave.
Pacolli pretendon se janë përdorur mbi 42 milionë euro nga kapitali i injektuar nga MABCO, si dhe më shumë se 28 milionë euro nga një kredi e garantuar me kolateralet e kësaj kompanie.
Ai ngre gjithashtu dyshime për fatura që, sipas tij, janë fryrë artificialisht dhe për dokumente të përdorura në kërkesa përmbarimore në vlerën 16.5 milionë euro.
Në reagimin e tij, Pacolli pretendon se Ademi ka përfituar nga situata e krijuar në administrimin e aeroportit dhe nga mungesa e kontrollit të MABCO-s mbi aktivitetin financiar të kompanisë.
Akuza për ndërhyrje në gjykata dhe mbrojtje nga persona me ndikim
Një pjesë e rëndësishme e denoncimit lidhet me vendimet gjyqësore që, sipas Pacollit, kanë penguar MABCO-n të ushtrojë të drejtat e saj si zotëruese e shumicës dërrmuese të kuotave.
Ai përmend disa gjyqtarë, duke i akuzuar se kanë marrë vendime që i kanë hequr kompanisë kontrollin dhe administrimin e VIA-s, pa respektuar, sipas tij, të drejtën e palës për t’u dëgjuar dhe për të paraqitur argumentet e saj.
Pacolli pretendon se Ademi ka përdorur këto vendime për të emëruar administratorë që do të miratonin faturat dhe dokumentet financiare sipas interesave të tij.
Biznesmeni përmend gjithashtu emrat e Vegim Hoxhës, Bujar Ejupit, Valon Llukës dhe Nebi Luzhës, duke ngritur akuza për rolin e tyre në administrimin dhe dokumentimin e punimeve në aeroport.
Ai thekson se Gjykata e Lartë ka ndërhyrë më pas, duke e cilësuar vendimin e saj si një goditje ndaj padrejtësive që, sipas tij, ishin kryer në procesin e administrimit.
Kostoja e pistës nga 34 në 79.7 milionë euro
Një tjetër pretendim i rëndë i Pacollit lidhet me ndërtimin e pistës së aeroportit. Sipas tij, në dokumentacionin fillestar të tenderit, punimet ishin parashikuar të kushtonin rreth 34 milionë euro, ndërsa më pas vlera ishte rritur në 79.7 milionë euro.
Pacolli e konsideron këtë diferencë prej 45.7 milionë eurosh si një rritje artificiale të kostove dhe akuzon ish-ortakun se ka përfituar nga kjo skemë.
Ai thotë se pas rimarrjes së administrimit të VIA-s janë konstatuar dokumente dhe të dhëna financiare që, sipas tij, kërkojnë një auditim të plotë.
Sipas biznesmenit, për rreth një vit është kërkuar ndihma e institucioneve për të realizuar auditimin, por përpjekjet për të shmangur këtë proces kanë vijuar.
Në fund të reagimit, Pacolli ngre pyetjen se kush do të mbajë përgjegjësi dhe kush do të kompensojë dëmet që pretendon se i janë shkaktuar kompanisë MABCO.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



