Padishahu dhe Algoritmi!
Naim Noka
Mbreti ynë de fakto, ai që prej vitesh sundon pa rregulla, sapo ka pasuruar fjalorin e tij politik me një shpikje të re: “Proletariati i Algoritmeve Sociale”.
Gjatë takimeve me Byronë e Rilindjes, në vend që të dëgjonte zërin e rrugës, ai zgjodhi të përdorë një fjalor të ri “filozofik”. Duke i etiketuar kritikët dhe protestuesit si një “proletariat algoritmesh”, ai synon të minimizojë revoltën e vërtetë qytetare. Për të, zëri i popullit nuk është dhimbje apo varfëri, por thjesht një reagim mekanik, një histori virtuale e nxitur nga kodet e internetit. Mbreti ynë duket se është dehur e është bërë “dru fare” nga era e algoritmit të vet.
Fushëbeteja Virtuale vs. Realiteti në Shesh
Sipas kësaj logjike mbretërore, algoritmi po kthehet në fushëbetejën kryesore. Në njërin krah qëndron ai, i rrethuar nga shpura e “Byrosë Rilindase”, dhe në krahun tjetër:
Mijëra të rinj që gdhihen në shesh para zyrës së tij.
Një qëndresë që vazhdon prej më shumë se 22 ditësh protestë.
Ndërkohë, nga ana tjetër e politikës, doktori i PD-së pret vizën amerikane për të pushuar një javë tek Dajë Semi. Por jashtë zyrave të rehatshme, realiteti flet ndryshe: algoritmi proletar po kthehet në algoritëm kombëtar, o Mbret!
“Flasim” në Podcast, Heshtim para Popullit
Pavarësisht se sheshi zjen nga thirrjet për dorëheqje dhe diaspora rrethon muret e pushtetit, Kryeministri Edi Rama zgjedh ta shohë realitetin nga dritarja e podcast-it të tij “Flasim”. Për të, revolta është thjesht “histeri e algoritmit” dhe “gjysmë të vërteta”.
Me një arrogancë që kalon kufijtë e normales, ai deklaroi se:
“Edhe nëse një planet i tërë do të protestonte, askush nuk mund ta detyrojë Partinë Socialiste të ndihet fajtore.”
Për mbretin, në shesh ka vetëm “iluzione dhe shtrembërime faktesh”. Madje, projekti i debatueshëm i Zvërnecit nuk do të ndalet, sepse sipas tij ai sjell “zhvillim”. Ky është relativizimi perfekt i pakënaqësisë qytetare dhe shmangia absolute e përgjegjësisë politike.
Nëse për 13 vite u ngjite në majat e abuzimit me pushtetin personal dhe privat, ka ardhur koha të zbresësh poshtë. Kambanat po bien për kokën tënde dhe për sistemin e korruptuar që ngrite hap pas hapi.
Një këshillë miqësore: Kujdes mos të rrëshqasin atletet kur të zbresësh, se vidhisesh shumë keq o mbret!
Aman se po ike ti, kush do të abuzojë kaq shumë me popullin më të varfër, në vendin me natyrë dhe resurse më të pasura në Europë?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



