E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pak ditë para arrestimit të Beqirit, kreu i SPAK dhe drejtori i BKH-së ishin në Paris
Lajme

Pak ditë para arrestimit të Beqirit, kreu i SPAK dhe drejtori i BKH-së ishin në Paris

Ermal Beqiri u arrestua në Francë pasi u identifikua në kërkim ndërkombëtar; pritet procedura e ekstradimit

Ermal Beqiri është arrestuar në Francë, pasi autoritetet konstatuan se ai rezultonte në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare.

Sipas burimeve, identifikimi i tij ka ndodhur të shtunën, pasi ai dyshohet se fluturoi mbi një central bërthamor në rajonin e Normandisë në një lartësi nën pragun e lejuar nga rregulloret e aviacionit. Pas ndalimit, Beqiri është proceduar administrativisht, është shoqëruar në polici dhe është marrë në pyetje për shkeljen e konstatuar.

Gjatë verifikimeve në bazat e të dhënave të INTERPOL-it, autoritetet franceze kanë konstatuar se ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare. Pas këtij konstatimi, policia franceze e ka mbajtur nën vëzhgim, me qëllim që të shmangej çdo mundësi largimi.

Sipas të njëjtave burime, vetëm pasditen e djeshme efektivët francezë janë rikthyer në banesën ku qëndronte Beqiri dhe kanë ekzekutuar arrestimin për llogari të drejtësisë shqiptare. Gjatë ditës së sotme pritet t’i komunikohet zyrtarisht urdhri i arrestit dhe të nisin procedurat për ekstradimin.

Burimet bëjnë me dije se ndaj Beqirit është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” në mungesë. Brenda 40 ditëve, autoritetet shqiptare duhet t’u përcjellin autoriteteve franceze të gjithë dokumentacionin për ekstradimin. Nëse Beqiri jep pëlqimin për ekstradim të thjeshtuar, procedura mund të përfundojë brenda pak ditësh. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që ai të kërkojë mbrojtje ndërkombëtare ose status azilanti në Francë, çka mund të zgjasë procedurat.

Sipas burimeve, Beqiri dyshohet nga SPAK si pjesë e një grupi kriminal të lidhur me procedura të dyshuara korruptive në fushën e teknologjisë së informacionit. Këto dyshime janë pjesë e hetimit penal dhe mbeten për t’u provuar në procesin gjyqësor.

Po sipas të njëjtave burime, rreth dy javë më parë prokurorët Braho, Mara dhe Keta kanë zhvilluar një takim në Paris me përfaqësues të një agjencie franceze të zbatimit të ligjit. Dyshimet e SPAK-ut ishin se Beqiri ishte strehuar në Francë. Burimet shtojnë se ai zotëron edhe disa biznese jashtë territorit të Shqipërisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.