E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Palo-intelektuali si armë kundër talentit
Lajme

Palo-intelektuali si armë kundër talentit

Palo-intelektuali nuk është thjesht një figurë morale e dështuar. Ai është produkt i një strukture frike që ka zëvendësuar mendimin e vërtetë intelektual me nevojën për mbijetesë, po njësoj siç zëvendësohet dija me pozicionin publik.

Në thelb, palo-intelektuali nuk ekziston për të kuptuar botën, por për të siguruar veten brenda saj dhe, mbi të gjitha, për të siguruar që intelektuali i vërtetë të mos shfaqet në publik.

Shfaqja e intelektualit, pra origjinalit, nuk e përjashton palo-n por e zhvesh nga justifikimi i ekzistencës së tij.

Kështu, intelekti pushon së qeni akt njohjeje dhe shndërrohet në mekanizëm mbrojtës.

Nga pikëpamja psikologjike, palo-intelektuali nuk ka marrëdhënie të shëndetshme me veten. Ai nuk e ka ndërtuar identitetin mbi përballjen me kufijtë e tij, por mbi shmangien e tyre.

Nuk ka kaluar kurrë nëpër procesin e dhimbshëm të njohjes së pamjaftueshmërisë, ndaj nuk ka zhvilluar asnjë raport të vërtetë me dijen.

Rrjedhimisht, palo-s i duhet gjithmonë një autoritet i jashtëm që ta çertifikojë, një zyrë që ta thërrasë, një vulë që ta mbrojë.

Ai jeton në ankth të vazhdueshëm se mos zbulohet boshllëku që mban nën kostumin e dijes, boshllëk që nuk e mbush dot as me tituj, as me ftesa, as me pëlqime publike.

Palo-intelektuali është figura ideale për shoqëritë e varfra, të pasigurta, për sistemet që nuk duan mendim të lirë, krijues dhe autentik por ofrojnë vetëm zëra të kontrollueshëm.

Ai është i dobishëm për këto sisteme sepse nuk pyet, nuk hap korniza dhe nuk rrezikon rendin.

Ai flet, por vetëm brenda kufijve të lejuar; mendon, por vetëm me mendime të huazuara, të sterilizuara nga çdo rrezik.

Palo-intelektuali vdes të citojë, veçanërisht burra që nuk jetojnë prej dekadash dhe që kanë shërbyer për t’i dhënë dritë shoqërive të errësirës së dikurshme, tashmë shumë të largëta nga realiteti i sotëm. Ai i përdor citimet për t’u fshehur pas tyre.

Palo-intelektuali është i gatshëm të dëshmojë kudo, jo sepse ka me vete një të vërtetë, por sepse ka nevojë të shihet.

Ai jeton për t’u parë, sepse pa sy mbi vete nuk mund të ekzistojë. Këto tipare miushi e bëjnë të përshtatshëm për ambasada, për OJF, për struktura pushteti dhe për çdo hapësirë ku kërkohet bindje e rafinuar, nënshtrim dhe jo mendim autentik intelektual.

Ai sajon shkrime cinike dhe mediokre për të hedhur baltë mbi çdo talent që shfaqet sepse terrorizohet menjëherë nga ajo që ai nuk di të bëjë, të mendojë dhe të krijojë.

Në këtë kuptim, palo-intelektuali është më i rrezikshëm se spiuni klasik.

Spiuni e di se po tradhton dhe vepron nga frika ose interesi. Palo-intelektuali vepron duke besuar se po bën mirë. Ai e sheh shkatërrimin e tjetrit si akt normalizimi, si “rregullim”, si “vendosje në vend”, si ruajtje e një ekuilibri që në fakt ekziston vetëm për të mbrojtur atë vetë.

Pikërisht këtu qëndron perversiteti i tij: ai nuk synon të të eliminojë fizikisht, por të të shpërbëjë simbolikisht, të të heqë zërin, të të relativizojë talentin, të të bëjë të dyshosh te vetja, dhe shpreson që të fillosh të heshtësh vetë. E gënjen mendja!

Palo-intelektuali nuk krijon, ai riprodhon; citon çfarë ka thënë dikush tjetër, ai nuk gjeneron kuptim, por përsërit kuptime të mbyllura.
Ai jeton në një botë referencash të vdekura, sepse nuk ka as guxim dhe as talent që të përballet me të tashmen pa mburojë.
Ai nuk jeton, nuk prek realitete, nuk ka përvoja jete por vetëm përjetime të realitetit virtual. Ai është skllav i shëmbëlltyrës.

Ndaj, kur shfaqet një talent i vërtetë, i gjallë, i pafiltruar nga skemat, ai e përjeton menjëherë këtë si kërcënim ekzistencial. Kjo ndodh jo sepse talenti e sulmon palo-n, por sepse talenti i tjetrit zbulon boshësinë e palo-s dhe e nxjerr atë jashtë loje pa e prekur fare.

Mes gjithë “perfeksionit” të falsifikuar ku jeton, palo-intelektuali bën gjithmonë një gabim fatal. Ai projekton.

Ai mendon se tjetri funksionon si ai: nga frika, nga fshehja, nga pazari.

Palo-intelektuali nuk e kupton dot që ekzistojnë njerëz që nuk mbijetojnë duke u përkulur, por duke qëndruar drejt. Nuk e ka idenë që ka njerëz në këtë botë që nuk e masin vlerën me akses, por me të vërtetë të brendshme.

Palo-intelektuali ka edhe një barometër qesharak që e çon drejt një dështimi të sigurt: nisur nga egocentrizmi i tij dhe mendje ngushtësia, ai ka një formulë të gatshme vlerësimi.

Nëse palo-ja nuk të njeh, nëse nuk je pjesë e rrethit të tij, atëherë automatikisht ti nuk vlen. Pikërisht këtu ai dështon, sepse ai vërtet nuk të njeh dhe, duke të konsideruar aksident, vetëm sa po vetëaksidentohet.

Prandaj ai gjithmonë bie dhe zhduket si hije, dhe askush nuk e mban mend në këtë jetë. As nipërit e tij.

Palo-intelektualin nuk ke nevojë ta rrëzosh; mjafton të kesh të qartë se cinizmi dhe moralizimi mbi të cilët ai jeton janë dëshmi e strukturës së tij me themele të paqëndrueshme, e një strukture që nuk prodhon as trashëgimi, as kujtesë, as vazhdimësi.

Palo-intelektuali nuk ka patur kurrë shansin të mësojë se talenti i vërtetë, ndryshe nga statusi, nuk grabitet dot dhe nuk administrohet nga zyrat.

Ai është hir; dhe hiri nuk administrohet nga duart e njeriut. As të palo-s vetë, jo e jo.

Sa më shumë përpiqet palo-intelektuali ta mbysë talentin që shfaqet, aq më i dukshëm bëhet kontrasti mes tyre. Sa më shumë shpif e sajon shkrime palo-ja, aq më qartë zbulohet frika e tij.

Në fund, ai shërben pa dashje si pasqyrë: duke u përpjekur të errësojë dritën, ai vetëm sa e bën atë më të fortë dhe më të dukshme.

Palo-intelektualët jo vetëm që nuk janë shenjë force e ndonjë sistemi, por janë shenjë e qartë e një dekadence pa rrugëdalje.

Çdo shoqëri që mbështetet mbi ta, vonon përballjen me të vërtetën, por nuk e shmang dot atë, sepse talenti, si çdo gjë e gjallë, gjen gjithmonë rrugën për të dalë në dritë.

Ai është si lumi i rrjedhshëm, të cilin nuk e ndalon dot të zbresë në det; nëse përpiqesh ta bllokosh, rrezikon të mbytesh nga vetë ujërat që ke mbledhur.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.