9 MLN Euro pa garë para zgjedhjeve
Tenderat e asfaltit, çakëllit dhe ujit, si skema klienteliste për blerjen e pushtetit dhe votave
Nga Fierit në Divjakë, nga Lushnja në Tiranë, përpara dhe pas zgjedhjeve vendore të 2025-ës, një emër përmendet me frekuencë alarmante: Paqsor Buzi, biznesmeni i lidhur me kompani fituese tenderash me “flamur të kuq” dhe histori penale për mashtrim me TVSH. Të dhënat e përpunuara tregojnë qartë një skemë të organizuar të abuzimit me fondet publike në funksion elektoral.
FIER Tenderi 2.5 miliardë lekësh për mikun e Subashit
Kryebashkiaku Armando Subashi, pak muaj para zgjedhjeve, autorizoi një tender 3-vjeçar për asfalt, të cilin e firmosi më 30 qershor 2025 nënkryetari i bashkisë Vasil Bregu. Fitues u shpall kompania e Paqsor Buzit, G.P.G Company, me një ofertë prej 165 milionë lekësh, ndonëse BIBA-X SHPK ofroi 20 milionë lekë më pak.
Kushti i shpikur i “largësisë 54 km” i shërbeu skualifikimit të BIBA-X, edhe pse KPP në vendimin nr. 487 e quajti kriterin diskriminues. Por Subashi nuk e përfilli as vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik. Porosia për mikun e vjetër duhej çuar në fund.
Kryebashkiaku Armando Subashi autorizoi para zgjedhjeve tenderin për blerjen e asfaltit për 3 vjet. Kështu, edhe zgjedhësit u mashtruan, edhe u mbush arka e firmës së mikut të tij “G.P.G Company”. Tenderi 2.5 miliardë lekësh ishte paracaktuar për Paqsor Buzin dhe këtë porosi e çoi në vend nënkryetari i bashkisë Vasil Bregu.
Ky i fundit ka firmosur më 30 qershor 2015, kontratën me kompaninë e Buzit me objekt “Blerje (funizim/vendosje) materialeve të nevojshme për reabilitimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve të brendshme dhe shesheve të Bashkisë Fier”.
Tenderi me vlerë mbi kufirin e lartë me fond limit 249 470 651,00 pa TVSH u shpall fillimisht më 24 janar 2025 dhe data e mbajtjes së procedurës ishte më 24 shkurt 2025. Megjithëse kishte mjaftueshëm pjesëmarrës, 7 kompani u munduan kot të bënin letrat, sepse Subashi nuk i ndahet Paqsor Buzit.
Ky i fundit u shpall fitues më 18 mars 2025 me ofertën 165 098 873,00 lekë pa TVSH.
“Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, ky është vlerësimi i Open Data Albania për procedurën e prokurimit. Tenderi është shënuar me ‘Flamur të kuq që është shenja e riskut të korrupsionit.
Megjithatë njëri nga pjesëmarrësit e pakënaqur e ka kundërshtuar këtë vendim. Operatori ekonomik BIBA-X SHPK ofroi ta bëjë këtë shërbim me 144 656 156 lekë pa TVSH.
Megjithëse kompania tjetër ofroi çmim më të favorshëm komisioni i Subashit e skualifikoi. Organizatorët e tenderit nuk pyetën për faktin se G.P.G. COMPANY SHPK bëri ofertë me vlerë më të lartë: 165 098 873 lekë pa TVSH.
Denoncimi në KPP i tenderit
Në mbledhjen e datës 11 prill 2025, Komisioni i Prokurimit Publik mori në shqyrtim kërkesën e kompanisë “BIBA-X” shpk për shfuqizimin e vendimit komisionit të Subashit që e skualifikonte pa të drejtë.
Një nga argumentet që ka përdorur komisioni ishte largësia e Fabrikës së asfaltobetonit të BIBA-X SHPK. Objekti rezulton të ndodhet në një largësi afërsisht 54 km nga qendra e qytetit të Fierit. Ndërsa në dokumentet e tenderit, komisioni i Subashit e kishte vënë kufirin 50 km larg.
DIVJAKË Josif Gorrea pesëfishon çmimin për tenderin e çakëllit
Kryebashkiaku Josif Gorrea “ngarkoi” me pesëfish më shumë buxhetin për tenderin e përvitshëm të çakëllit, nga 2.6 milionë lekë (2022) në 25 milionë lekë në 2025. Fituesi? Sërish Paqsor Buzi, ndërsa partneri i tij i zakonshëm Bashkim Dulla u fut në garë “për sy e faqe”.
Një tjetër tender me “flamur të kuq” u firmos pas zgjedhjeve, por punimet nisën dhe përfunduan para zgjedhjeve. Kjo është strategjia e zakonshme e përdorur nga pushteti vendor për të blerë vota me asfalt e çakëll.
LUSHNJË 5.7 miliardë lekë ujë për Buzin, me firmën e Ballukut
Në janar 2025, katër muaj para zgjedhjeve, G.P.G Company e Paqsor Buzit mori një tjetër kontratë me vlerë 571 milionë lekë pa TVSH për furnizimin me ujë në 11 fshatra të Lushnjës. Procedura u drejtua nga Klaidi Shkurti, drejtor i Ujësjellësit të Lushnjës dhe ushtar politik i ministres Belinda Balluku, kryetare politike e PS për qarkun Fier.
Prej 5 garuesve, u skualifikuan katër. Në garë mbeti vetëm kompania e Buzit. Tenderi kishte kohëzgjatje 18 muaj, por punimet u nisën në muajin mars, sërish përpara zgjedhjeve.
Bëhet fjalë për procedurën me objekt “Blerje çakëll makinerie (sp 1-100mm) për rrugë urbane dhe rurale në Bashkinë Divjakë”.
Fondi Limit i përllogaritur nga komisioni i Gorreas është 25 264 120,00 lekë pa TVSH. Për të justifikuar paratë janë futur në plan për shtresa çakëlli thuajse të gjitha rrugët kryesore të njësive administrative.
Ky tender është rutinë e përvitshme, por sivjet Gorrea ka pesëfishuar fondin, se ka rënë në lek! Në vitin 2022, tenderi i çakëllit e ka pasur fondin limit 2 678 307 lekë pa TVSH. Në vitin 2023 fondi ka qenë 6 346 416 lekë.
Dhe pasi ka miratuar këtë buxhet të madh dhe pasi i asfaltoi rrugët para zgjedhjeve, vjen super tenderi i çakëllit i cili është njoftuar në Agjencinë e Prokurimit Publik më 7 mars 2025, ndërsa fituesi është shpallur pas zgjedhjeve, më 23 maj 2025. Tenderi ka merituar “Flamurin e kuq” të korrupsionit.
Nga ana tjetër bie në sy se oferta më e lartë është paraqitur nga partneri i Paqsor Buzit në tendera Bashkim Dulla, pronar i “Boshnjaku B” shpk. Paraqitja ndarazi në këtë tender është vetëm sa për formalitet.
Për kujtesë, 12 gusht 2016, Bashkia Berat u ka dhënë Paqsor Buzit dhe Bashkim Dullës tenderin “Rikonstruksion i rrugës Stadium i Vjetër –Stadiumi i Ri, rruga Stadiumi Rruga Koli Vesho dhe sheshit para stadiumit”. Vlera e kontratës ishte 299 824 000,00 lekë
Më 18 shtator 2020, të bashkimi i kompanive të Buzit dhe Dullës mori nga Bashkia Peqin tenderin me objekt “Ndërtim i ujësjellësit për fshatrat Gjocaj, Celhakaj dhe Hashmataj, Bashkia Peqin” me fond limit 81 499 422,00lekë pa tvsh. Pjesëmarrja e tyre të ndarë në tenderin e Bashkisë Divjakë është thjesht lojë.
drejtori i Ujësjellësit Lushnjë, Klaidi Shkurti, ka guximin t’i japë Paqsor Buzit kontratën 5.7 miliardë lekë, 4 muaj para zgjedhjeve, pa pyetur Belindën.
Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Furnizimi me ujë i fshatrave Goricaj, Sopez, Senesa, Ferras, Mërtish, Këmishtaj, Spolate, Gradisht, Fier Seman, Gungas, Babunje, Babunje e re në Njësinë Gradishtë”. Fondi limit për këtë projekt me kohëzgjatje 1 vit e gjysmë është 571 515 049,00 lekë pa TVSH.
Në tender morën pjesë 5 kompani, por drejtori i Ballukut i skualifikoi 4 prej tyre dhe la vetëm “GPG Company” për vlerësim.
Kështu, pasi u eliminua konkurrenca, kontrata u nënshkrua me kompaninë e Paqsor Buzit më 13 janar 2025.
Një biznesmen me 7 kompani në emrin e tij dhe mbi 200 milionë euro tendera të fituar nga Bashkitë e majta në 10 vitet e fundit. Ish-klient i preferuar i të arrestuarit Fatos Tushe, Buzi ka fituar mbi 20% të kontratave të tij vetëm në Bashkinë Lushnjë.
Në vitin 2019, Buzi u arrestua për mashtrim me TVSH dhe krijim skemash fiktive në dëm të shtetit, me një dëm të deklaruar prej 26 milionë euro.
Skema klasike e korrupsionit:
- Ngritje e fondit disa herë për tendera rutinë
- Paracaktim i fituesve (oferta më e lartë, fiton)
- Kriteret diskriminuese ndaj konkurrentëve
- Shkelje e vendimeve të KPP dhe mosndëshkim
- Përdorim elektoral i tenderave me efekte vizuale para zgjedhjeve
- Kush mban përgjegjësi?
- Armando Subashi, për autorizim të tenderit abuziv
- Josif Gorrea, për fryrje të buxhetit dhe formalizim të garës fiktive
- Belinda Balluku, për favorizim të hapur dhe ndikim politik
- SPAK, që ende nuk ka hapur një hetim të thelluar për këto kontrata klienteliste