Para pushimeve, kreu i SPAK mbledh gazetarë për të prezantuar bilancin
183 procedime të përfunduara, 7 grupe kriminale të goditura dhe 440 milionë euro pasuri nën sekuestro
Pak ditë para nisjes së pushimeve verore, drejtuesi i SPAK, Klodjan Braho, zhvilloi një takim me gazetarë për të prezantuar bilancin e punës së Prokurorisë së Posaçme për periudhën 1 janar – 15 korrik 2026.
Në një aktivitet me karakter informues, SPAK publikoi të dhënat mbi hetimet, procedimet penale, sekuestrimet e pasurive dhe rezultatet e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke e paraqitur si një bilanc të progresit të institucionit gjatë gjysmës së parë të vitit.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë kësaj periudhe SPAK ka përfunduar hetimet për 183 procedime penale, ose 64.9% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Institucioni bën me dije se ka reduktuar stokun e dosjeve aktive nga 616 në 551 procedime, ndërsa raporti mes procedimeve të përfunduara dhe atyre të reja ka arritur në 166.4%, çka sipas SPAK tregon se janë trajtuar jo vetëm dosjet e reja, por edhe një pjesë e konsiderueshme e çështjeve të mbartura nga vitet e kaluara.
Një nga elementët kryesorë të raportit është goditja financiare ndaj grupeve kriminale.
Me kërkesë të SPAK, gjykata ka vendosur masa sekuestroje preventive mbi pasuri me një vlerë paraprake prej rreth 440 milionë euro, ku përfshihen:
* mbi 150 mijë m² toka, troje dhe pyje;
* më shumë se 60 vila, apartamente dhe struktura hoteliere;
* mbi 10 shoqëri tregtare me asetet dhe kapitalin e tyre;
* më shumë se 620 llogari bankare;
* rreth 100 automjete dhe mjete lundruese.
SPAK thekson se bëhet fjalë për masa preventive dhe jo për konfiskime përfundimtare, ndërsa vlera e pasurive do të verifikohet gjatë procesit hetimor.
Në raport evidentohet gjithashtu se gjatë kësaj periudhe janë hetuar 13 procedime që përfshijnë 16 zyrtarë ose ish-zyrtarë të nivelit të lartë, mes tyre ministra, ish-ministra, kryetarë bashkish, drejtues institucionesh, gjyqtarë dhe prokurorë.
Në të njëjtën kohë, SPAK ka dërguar për gjykim 34 çështje penale me 228 persona të pandehur, ndërsa janë ekzekutuar vendime të formës së prerë ndaj 74 personave, përfshirë 7 ish-zyrtarë të nivelit të lartë.
Sipas bilancit të publikuar, gjatë kësaj periudhe janë caktuar masa sigurimi në kuadër të hetimeve ndaj 7 grupeve kriminale me rrezikshmëri të lartë, ndërsa 36 persona janë shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në deklaratën e tij, drejtuesi i SPAK, Klodjan Braho, u shpreh se institucioni ka bërë progres të konsiderueshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar krahasuar me një vit më parë, duke theksuar se hetimet vijojnë të bazohen në prova dhe se çështjet komplekse kërkojnë kohën e nevojshme për t’u përfunduar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



