E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Paralajmërimi i fortë i Trump: Europa s’do njihet më pas 20 vitesh
Bota

Paralajmërimi i fortë i Trump: Europa s’do njihet më pas 20 vitesh

“Po Shkon Drejt Zhdukjes së Civilizimit”

Administrata e Presidentit Donald Trump ka ngritur alarmin për një “rrezik zhdukjeje civilizimi” në Evropë, duke vënë në dyshim aftësinë e disa shteteve për të mbetur partnerë të besueshëm të SHBA-së. Paralajmërimi vjen në Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare, një dokument 33-faqësh që përshkruan vizionin e Trump për rendin global dhe rolin e Amerikës në të.

Presidenti amerikan e ka cilësuar strategjinë si një “udhërrëfyes” për ruajtjen e fuqisë ushtarake, ekonomike dhe politike të Shteteve të Bashkuara, duke theksuar ambicien e tij që SHBA të mbetet “kombi më i madh dhe më i suksesshëm në historinë e njerëzimit”.

Reagime të ashpra nga Evropa

Dokumenti ka sjellë reagime të menjëhershme në kryeqytetet evropiane. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, deklaroi se vendi i tij “nuk ka nevojë për këshilla nga jashtë”, duke nënvizuar se marrëdhënia transatlantike mbetet thelbësore, por se çështjet e lirive dhe organizimit të shoqërisë gjermane “nuk janë temë për t’u trajtuar në një strategji të sigurisë së SHBA-së”.

Strategjitë formale të sigurisë kombëtare zakonisht publikohen një herë gjatë secilit mandat presidencial dhe zakonisht shërbejnë si bazë për politika, buxhete dhe sinjale të qarta diplomatike. Dokumenti i ri përsërit retorikën që Trump përdori më herët në OKB, ku kritikoi fort qasjen e Evropës ndaj migracionit, energjisë së pastër dhe integrimit ekonomik.

“Evropa do të jetë e panjohshme brenda 20 vitesh”

Në seksionin e dedikuar kontinentit evropian, administrata Trump shpreh shqetësimin se, nëse trendet aktuale vazhdojnë, Evropa “do të jetë e panjohshme brenda 20 vjetësh”, duke përmendur rënien e lindshmërisë, politikat e migracionit dhe dobësinë e strukturave ekonomike. Dokumenti paralajmëron se disa shtete mund të mos kenë “ushtri dhe ekonomi mjaft të forta për të mbetur aleatë të besueshëm”.

Raporti akuzon gjithashtu Bashkimin Evropian dhe institucionet transnacionale për “minim të sovranitetit politik”, ndërsa kritikon ashpër politikat e migracionit, censurën e supozuar të fjalës së lirë dhe “errësimin e identiteteve kombëtare”.

Paralelisht, Washingtoni sheh me simpati “forcat patriotike evropiane”, duke inkurajuar – siç shprehet dokumenti – “ringjalljen e shpirtit perëndimor”. Administrata Trump ka kultivuar më parë lidhje me partinë gjermane AfD, e klasifikuar si e ekstremit të djathtë nga shërbimet gjermane të inteligjencës.

Marrëdhëniet me Rusinë dhe lufta në Ukrainë

Lidhur me agresionin rus në Ukrainë, strategjia vëren se Evropa ka pësuar “mungesë vetëbesimi” në trajtimin e marrëdhënieve me Moskën. Dokumenti thekson se menaxhimi i këtij raporti do të kërkojë përfshirje të vazhdueshme të SHBA-së, duke e konsideruar përfundimin e luftës në Ukrainë si një interes jetik amerikan.

Administrata Trump ka prezantuar një plan për ndaljen e konfliktit, i cili fillimisht kërkonte që Ukraina të hiqte dorë nga pjesë të territorit të kontrolluara aktualisht nga Rusia. Një version i modifikuar i këtij propozimi i është dorëzuar më pas Moskës. Presidenti Putin ka kërcënuar se Rusia do të marrë të gjithë Donbasin “me forcë”, nëse Kievi nuk tërhiqet.

Rishpërndarja globale e forcës ushtarake amerikane

Dokumenti i Shtëpisë së Bardhë i kushton një hapësirë të madhe Hemisferës Perëndimore, duke paralajmëruar për “kërcënime të afërta” dhe duke bërë thirrje për zhvendosjen e aseteve ushtarake nga zonat që konsiderohen më pak prioritare.

Ky ndryshim strategjik po shihet gjithnjë e më qartë në Karaibe, ku SHBA ka rritur praninë ushtarake dhe ka kryer seria sulmesh kundër anijeve që dyshohen për trafik droge. USS Gerald Ford, anija luftarake më e madhe në botë, aktualisht është e vendosur në këtë rajon së bashku me grupin e saj të sulmit.

Ndërsa për rajonin Indo-Paqësor, strategjia thekson rëndësinë e Detit të Kinës Jugore dhe bën thirrje që Japonia, Koreja e Jugut, Australia dhe Tajvani të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes. SHBA synon të ruajë “mbipeshën ushtarake” për të shmangur një konflikt të mundshëm mbi Tajvanin, të cilin Kina e konsideron pjesë të territorit të saj.

Fokus tek industria amerikane dhe varësia teknologjike

Në fund, dokumenti thekson nevojën për forcimin e industrisë vendase dhe reduktimin e varësisë nga teknologjitë e huaja – në përputhje me politikat proteksioniste të administratës Trump dhe tarifat globale të vendosura prej saj.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.