Paralajmërimi i fortë! Priten përmbytje, ja zonat që do preken
Reshje intensive shiu dhe shtrëngata priten gjatë pasdites së 8 tetorit dhe gjatë ditës së 9 tetorit në disa zona të vendit, ndërsa autoritetet paralajmërojnë për rrezik nga vërshimet, përmbytjet lokale dhe rrëshqitjet e dherave.
Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO), reshjet më intensive priten në qarqet Shkodër dhe Lezhë, ku intensiteti mund të shkojë deri në nivele shumë intensive. Reshje intensive parashikohen gjithashtu në qarkun e Durrësit.
Situata e motit pritet të jetë më e moderuar në qarqet Kukës, Dibër dhe Tiranë, ku reshjet do të variojnë nga intensiteti mesatar deri në intensitet lokalisht të lartë.
Në pjesën tjetër të territorit, reshjet pritet të jenë kryesisht të dobëta deri mesatare, ndërsa në disa zona ato mund të shoqërohen me shtrëngata.
Për shkak të intensitetit të reshjeve, veçanërisht në Shkodër, Lezhë dhe Durrës, ekziston mundësia e vërshimeve të ujit në zonat urbane, përmbytjeve lokale dhe rrëshqitjeve të dherave.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe dhe të shmangin lëvizjet pranë lumenjve, përrenjve dhe zonave të tjera të ekspozuara ndaj përmbytjeve.
Qytetarët këshillohen gjithashtu të mos tentojnë të kalojnë në rrugë të mbuluara nga uji dhe të ndjekin njoftimet zyrtare të autoriteteve vendore dhe strukturave të emergjencave civile.
Në rastet e emergjencave, qytetarët duhet të kontaktojnë numrat përkatës të emergjencës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



