E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Paralajmërimi: Mazhoranca mund të shkojë deri te shkrirja e SPAK
Lajme

Paralajmërimi: Mazhoranca mund të shkojë deri te shkrirja e SPAK

Avokati Saimir Visha plas deklaratën e fortë

Avokati i njohur Saimir Visha ka ngritur një sërë shqetësimesh lidhur me funksionimin e sistemit të drejtësisë në vend, duke u ndalur te niveli i pagave në sistem, pavarësia e institucioneve dhe standardet e sigurisë në gjykata. Deklaratat ai i bëri në një intervistë për Klan News, në emisionin e moderuar nga Besard Jacaj.

Visha theksoi se rritja e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët është e nevojshme për shkak të ngarkesës së lartë të punës dhe përgjegjësive që ata mbajnë. Sipas tij, një pagë më e lartë nuk e zhduk korrupsionin, por ndikon në uljen e tij, duke garantuar më shumë stabilitet ekonomik për punonjësit e drejtësisë.

Ai u shpreh se aktualisht gjyqtarët paguhen nga rreth 2 mijë deri në 5 apo 6 mijë euro në muaj, por për volumet e mëdha të dosjeve dhe kompleksitetin e çështjeve që trajtojnë, kjo pagesë mbetet e pamjaftueshme. Sipas Vishës, shqyrtimi i dosjeve voluminoze dhe fakti që vendimet kalojnë në disa shkallë gjykimi kërkojnë përkushtim të lartë profesional, çka justifikon rritjen e pagave.

Avokati shtoi se rritje page duhet të përfshijë edhe administratën e gjykatave, e cila sipas tij punon shpesh pa orar dhe në kushte presioni të vazhdueshëm, sidomos në gjykatat administrative ku fluksi i çështjeve është më i madh.

Në intervistë, Visha u ndal edhe te pavarësia e sistemit të drejtësisë, duke shprehur shqetësim për atë që ai e cilëson si ndërhyrje politike. Ai deklaroi se ndarja e pushteteve nuk po funksionon siç duhet dhe se reforma në drejtësi, sipas tij, ka sjellë pasoja të rënda në funksionimin e institucioneve.

Sipas Vishës, institucionet e drejtësisë duhet të qëndrojnë të pavarura nga pushteti politik, ndërsa paralajmëroi se shumicat parlamentare, në aspektin teorik, kanë mundësi të ndërhyjnë në strukturat ekzistuese përmes ndryshimeve ligjore.

Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij ishte siguria në gjykata. Ai përmendi rastet e rënda të ndodhura ndër vite, përfshirë vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, duke theksuar se standardet e sigurisë mbeten të ulëta. Sipas Vishës, në gjykatat shqiptare palët hyjnë nga të njëjtat hyrje dhe mungon ndarja e qartë mes publikut, të pandehurve dhe trupës gjykuese, gjë që rrit rrezikun.

Ai kërkoi krijimin e një strukture të specializuar sigurie për institucionet e drejtësisë, duke vënë në dukje se aktualisht shumë oficerë sigurie janë në moshë të madhe dhe me paga të ulëta, çka sipas tij nuk garanton standarde profesionale.

Në fund, avokati kritikoi edhe praktikën e mbajtjes së të pandehurve në kafaze xhami gjatë seancave gjyqësore, duke e cilësuar si pengesë për komunikimin efektiv me avokatin dhe për ushtrimin e plotë të të drejtës së mbrojtjes.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.