Paralajmërimi: SPAK do të arrestojë dy ish-kryebashkiakë
“Njëri nga veriu dhe tjetri nga jugu”
Analisti Arjan Curri ka bërë një deklaratë të fortë mbrëmjen e djeshme duke lënë të kuptohet se SPAK është në prag të arrestimeve të dy figurave të njohura politike, të cilët aktualisht mbajnë mandate deputetësh.
Sipas Currit, bëhet fjalë për dy ish-kryetarë bashkie, një nga veriu dhe një nga jugu i vendit, që më vonë kanë kaluar në politikën qendrore dhe janë sot pjesë e Kuvendit. Ai nuk dha emra konkretë, por u shpreh se informacionet që ka janë të sigurta dhe se “lajmet po vijnë nga burime pranë SPAK”.
“Nga SPAK na vijnë lajmet që dy ish-kryetarë bashkie janë gati për t’u prerë biletat. Njëri është një ish-kryetar bashkie në veri, sot deputete, tjetri një ish-kryetar në jug, sot deputet në parlament,” tha Curri gjatë diskutimit.
Deklarata e tij ndezi menjëherë debat në studio dhe në rrjetet sociale, duke ngritur pyetje mbi identitetin e dy deputetëve që përfliten se janë në prag të ndëshkimit penal.
Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga Prokuroria e Posaçme, ndërsa mbetet për t’u parë nëse paralajmërimi i analistit do të përkthehet në veprime konkrete ditët në vijim.
Në emision Top Story, Curri shtoi se arrestimet pritet të jenë pjesë e një vale më të gjerë hetimesh që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë dhe se “askush nuk është i paprekshëm” përballë drejtësisë së re.
“Kjo është një periudhë që po vjen me goditje të reja nga SPAK. Janë sinjale që politika po tronditet në disa krahë, jo vetëm në njërin,” theksoi ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



