E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Parandalohet sherri mes 23 të miturve në Tiranë
Lajme

Parandalohet sherri mes 23 të miturve në Tiranë

Një konflikt mes një grupi të miturish është parandaluar nga Policia e Tiranës në zonën e Yzberishtit, përpara se situata të përshkallëzohej. Në përfundim të veprimeve të kryera nga efektivët, 23 të mitur, të moshave 13 deri në 17 vjeç, janë proceduar në gjendje të lirë.

Ngjarja u parandalua në rrugën “Besim Alla”, ku shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 ndërhynë pas marrjes së informacionit se një grup të rinjsh do të përfshihej në një përplasje.

Efektivët mbërritën në zonën e sinjalizuar dhe konstatuan disa prej të miturve me shkopinj bejsbolli, të cilët dyshohet se do të përdoreshin gjatë konfliktit. Dy shkopinj bejsbolli u sekuestruan nga policia.

Të miturit që u gjetën me sendet e forta u shoqëruan në komisariat. Në vijim të veprimeve, efektivët identifikuan edhe personat e tjerë që dyshohet se do të merrnin pjesë në përplasjen e planifikuar.

Pas përfundimit të procedurave, materialet për rastin iu referuan Prokurorisë dhe ndaj 23 të miturve nisi procedimi penal në gjendje të lirë. Veprimet janë kryer në praninë e prindërve dhe psikologut, në përputhje me procedurat që zbatohen për të miturit.

Policia e Tiranës ka bërë apel për bashkëpunim nga prindërit, familjarët dhe stafi arsimor, veçanërisht në rastet kur vërehen shenja që mund të paralajmërojnë konflikte mes të rinjve, përfshirë edhe aktivitetet e tyre në rrjetet sociale.

Sipas policisë, ndërhyrja në kohë synon të parandalojë përshkallëzimin e konflikteve mes të miturve, të cilat mund të nisin për arsye të parëndësishme dhe të përfundojnë me pasoja më të rënda.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.