Pasi doli “huq” me Ramën, Adriatik Lapaj “i lëpihet” Berishës
“Nëse PD do më mbështeste, Rama nuk do ishte më Kryeministër”
Kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka deklaruar se nëse Partia Demokratike do t’i ishte bashkuar protestës së janarit, sot situata politike në vend do të ishte ndryshe.
Në një intervistë në media, Lapaj kritikoi mënyrën se si opozita, veçanërisht lidershipi i PD-së, reagoi gjatë protestave të mbajtura përpara Kryeministrisë nga aktivistët e forcës që ai drejton.
“Është e drejtë legjitime e çdo partie të protestojë, madje unë e kam pritur që PD të na bashkohet. Kemi thënë që të krijohet një kohezion i madh social. Po ta kishim bërë që në janar, jam i bindur që Edi Rama nuk do e kishte shtyrë. Në PD një seri njerëzish e kanë patur merakun se mos fitonte Adriatiku”, u shpreh Lapaj.
Ai shtoi se mungesa e bashkimit të opozitës lidhej edhe me rezerva të brendshme në PD për rritjen e mbështetjes ndaj tij.
Megjithatë, Adriatik Lapaj u shpreh i hapur për bashkëpunim me kreun historik të demokratëve, Sali Berisha, duke theksuar se nevoja për bashkim është reale, por qytetarët janë të lodhur nga e njëjta klasë politike.
Sipas tij, prej më shumë se tre dekadash në vend vijon një riciklim i të njëjtëve aktorë politikë, çka ka krijuar një dëshirë të fortë për ndryshim.
Duke folur për zgjedhjet vendore, Lapaj bëri të ditur se “Shqipëria Bëhet” synon një përfshirje të gjerë në të gjithë vendin.
“Do të garojmë në 61 bashkitë për këshillat bashkiakë. Për kryetarë bashkie do të vendosim më vonë. Kam ndjerë një dëshirë të jashtëzakonshme për ndryshim. Njerëzit janë të lodhur nga e njëjta klasë politike që ka 34 vite që riciklohet”, deklaroi ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



