E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pasi sulmoi RTSH, Rama përgatit trefishimin e taksës së televizorit
Lajme

Pasi sulmoi RTSH, Rama përgatit trefishimin e taksës së televizorit

Kryeministri Edi Rama ka ngritur publikisht shqetësime mbi dështimin financiar dhe cilësinë e ulët programore të Radio Televizionit Shqiptar, duke vënë në dyshim vazhdimin e financimit të tij nga buxheti i shtetit. Paralelisht me këto deklarata kritike, qeveria po përgatit një rritje të ndjeshme të taksës së televizorit, e cila pritet të trefishohet për familjarët dhe të shumëfishohet për bizneset.

Në një mbledhje me deputetët dhe ministrat, Rama e cilësoi RTSH-në si një institucion të zhytur në borxhe dhe keqmenaxhim, duke deklaruar se nuk meriton më mbështetje financiare nga taksat e qytetarëve. Ai la të hapur disa skenarë për të ardhmen e televizionit publik, përfshirë mbylljen, privatizimin apo forma të tjera partneriteti.

“RTSH është shembull i dështimit të plotë. Ka kaluar nga borxhi në borxh dhe kërkon vazhdimisht shtim fondesh. Nuk do t’i japim më asnjë lekë nga buxheti derisa të meritojë taksat e shqiptarëve. Çdo opsion duhet të jetë i hapur: mbyllja, partneriteti, privatizimi apo alternativa të tjera”, u shpreh kryeministri.

Megjithatë, mësohet se kjo retorikë publike vjen në një kohë kur Ministria e Financave, me urdhër të vetë kryeministrit, ka ngritur një grup pune për trefishimin e taksës së televizorit. Sipas burimeve për mediat nga brenda ministrisë, ky proces kishte nisur rreth një javë përpara deklaratave të Ramës për mosdhënie fondesh shtesë për RTSH-në.

Aktualisht, taksa mujore e televizorit për familjarët është 1,200 lekë me TVSH. Sipas planit në shqyrtim, kjo taksë do të rritet në 3,600 lekë në muaj me TVSH, ndërsa për bizneset parashikohet të jetë 10 deri në 15 herë më e lartë. Rritja e taksës pritet t’i sigurojë RTSH-së rreth 30 milionë euro shtesë në vit.

Nëse kjo rritje miratohet, çdo familje shqiptare do të paguajë rreth 43,200 lekë në vit për taksën e televizorit. Këto fonde, sipas kritikëve, do të përdoren për të mbuluar shpenzime të larta operative, paga, shpërblime, dieta, automjete dhe strukturën e fryrë drejtuese të RTSH-së, ku numri i punonjësve arrin në rreth 1,140 persona.

Aktualisht, RTSH përfiton rreth 15 milionë euro neto në vit nga taksa e televizorit për familjarët dhe bizneset. Pas trefishimit, kjo shumë do të rritet në rreth 45 milionë euro neto në vit, fonde që do të administrohen drejtpërdrejt nga institucioni. Përveç kësaj, RTSH merr rreth 6 milionë euro në vit nga buxheti i shtetit dhe rreth 7 milionë euro nga reklamat, kontratat dhe burime të tjera, duke e çuar buxhetin aktual në afro 28 milionë euro në vit. Me rritjen e taksës, buxheti total i institucionit do të rritej me rreth 30 milionë euro të tjera.

Kjo situatë krijon një kontrast të fortë mes deklaratave politike dhe praktikës financiare: ndërsa kryeministri deklaron se nuk do t’i japë më asnjë qindarkë RTSH-së nga buxheti i shtetit, në realitet qytetarëve u kërkohet të kontribuojnë shumë më tepër përmes rritjes së detyrueshme të taksës së televizorit.

Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, rreth 60 për qind e shpenzimeve të RTSH-së janë konstatuar si problematike, duke përfshirë shpenzime të fryra, pagesa fiktive dhe tenderë të dyshimtë. Këto gjetje ngrenë pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si do të menaxhohen fondet shtesë që pritet të mblidhen nga qytetarët.

Ndërsa qeveria diskuton skenarë për të ardhmen e televizionit publik, barra financiare duket se po zhvendoset drejtpërdrejt mbi familjet dhe bizneset, në një institucion që vetë autoritetet e cilësojnë si të dështuar.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.