Pasuritë publike që po kthehen në kulla e resorte luksi
Harta e re e “privatizimit” shtetëror
Nga Tiranë në Butrint, nga Velipoja në Sazan, një listë e gjatë pasurish publike po zhvendoset, njëra pas tjetrës, nga përdorimi komunitar drejt projekteve private për kulla, hotele e resorte luksi. Nën justifikimin e “zhvillimit ekonomik” dhe përmes mekanizmave ligjorë si Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC), prona të çmuara të shtetit po u kalojnë privatëve. Rasti i fundit Shtëpia e Fëmijës “Zyber Hallulli” në zemër të Tiranës është vetëm maja e ajsbergut.
Shtëpia e Fëmijës “Zyber Hallulli”: Jetimët lënë truallin, oligarkët marrin qendrën
Dokumentet zyrtare të AIC tregojnë se, me një vendim të Këshillit të Ministrave të datës 31 korrik 2025, trualli prej 7,107 m² në Rrugën e Elbasanit, ku ndodhet Shtëpia e Fëmijës “Zyber Hallulli”, i kalon Korporatës për zhvillim privat. Brenda këtij trualli është edhe godina ekzistuese e Inspektoriateve Qendrore me rreth 2,900 m².
Plani parashikon që fëmijët jetimë dhe Inspektoriatet të zhvendosen në një zonë tjetër, në Rrugën Gramoz Pashko, ku do të ndërtohen dy godina të reja publike. Në këmbim, privatit fitues i garës i jepet e drejta të ngrejë një projekt “me përdorim të përzier”, pra kulla banimi, hotele, zyra e ambiente tregtare, në një nga truallët më të shtrenjtë të kryeqytetit, ngjitur me Stadiumin “Air Albania”.

Në dokumentet e tenderit theksohet se “projekti duhet të kombinojë mikpritjen, tregtinë, zyrat, banimin dhe shërbimet, duke u bërë një pikë referimi bashkëkohore për horizontin urban të Tiranës”. Me fjalë të tjera: kullë gjigante në vendin ku sot jetojnë fëmijët pa prindër.
Një valë kombëtare “zhvillimi”: nga kështjellat e shekujve tek vilat qeveritare
Rasti “Zyber Hallulli” nuk është i izoluar. Në dy vitet e fundit, një sërë pronash shtetërore ikonike janë vënë në shënjestër për t’u kthyer në projekte fitimprurëse:
- Kalaja e Petrelës – një nga monumentet historike më të vizituara, për të cilën janë përgatitur plane për transformim në kompleks turistik privat.
- Kalaja e Ali Pashës në Butrint dhe Kalaja e Prezës – të përfshira në projekte koncesionare për shërbime hotelerie dhe evente luksi.
- Pallati i Kongreseve dhe Biblioteka Kombëtare – të “piketuar” për zhvillime me partneritet publik-privat që parashikojnë ndërtime shtesë me funksione tregtare.
- Stadiumi “Selman Stërmasi” dhe Pallati i Sportit “Asllan Rusi” – planifikohet shembja e pjesshme dhe ngritja e kullave banimi e komerciale.
- ATSH mbi Gjykatën e Apelit, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Shkolla e Marinës në Vlorë, Shtëpia e Fëmijës në Vlorë – të gjitha me plane për zhvendosje dhe përdorim të ri nga privatët.
- Vilat qeveritare në Vlorë dhe Velipojë, Ishulli i Sazanit, Pylli i Sodës – pjesë e listës strategjike për resorte turistike e marina private.
Mekanizmi: Korporata e Investimeve Shqiptare
Ky transformim i gjerë realizohet përmes Korporatës së Investimeve Shqiptare (AIC) – një strukturë e krijuar nga qeveria për të administruar dhe “zhvilluar” asetet publike. Sipas skemës tipike, AIC merr në pronësi truallin shtetëror dhe hap një garë për partner privat. Ky i fundit ndërton një ose dy objekte publike (shpesh në periferi), ndërsa në truallin qendror fiton të drejtën të ndërtojë projekte private shumëfish më fitimprurëse.
Kritikët e quajnë këtë proces një formë privatizimi të kamufluar, pasi trualle me vlera milionëshe i kalojnë privatëve në këmbim të investimeve relativisht modeste. Diferenca mes vlerës reale të tokës dhe kostos së dy godinave publike mbetet fitim i pastër për bizneset e lidhura.
Zhdukja e hapësirave publike dhe rreziku i “betonizimit”
Ekspertë të urbanistikës paralajmërojnë se kjo valë “zhvillimesh” po pakëson në mënyrë dramatike hapësirat publike dhe monumentet e trashëgimisë kulturore. Tirana, por edhe qytete të tjera bregdetare si Vlora dhe Saranda, po humbasin identitetin historik nën presionin e kullave dhe resorteve.
Në rastin “Zyber Hallulli”, ironia është dyfishe: jetimët zhvendosen për t’i hapur rrugë oligarkëve, ndërsa qyteti humb një hapësirë publike qendrore në emër të “zhvillimit”.
Ky është vetëm një kapitull i ri i një procesi që po riformaton peizazhin urban dhe pronësinë publike në Shqipëri – një proces që kërkon transparencë, kontroll institucional dhe debat publik para se pasuritë e përbashkëta të kthehen, një nga një, në pasuri private.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



