PD çon në Gjykatën Kushtetuese ligjin e marrëveshjes me SHBA-në
Partia Demokratike ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese ligjin që ratifikon marrëveshjen e huasë prej 302 milionë eurosh ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për furnizimin me pajisje ushtarake.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, theksoi se opozita nuk është kundër përmbajtjes së marrëveshjes apo bashkëpunimit strategjik me SHBA-në, por kundërshton mënyrën se si ajo u miratua në Kuvend. Sipas tij, procesi është zhvilluar në kundërshtim me normat kushtetuese dhe standardet parlamentare.
Bardhi argumentoi se deputetëve iu mohua e drejta për t’u njohur në kohë me dokumentacionin e plotë, duke kufizuar kështu rolin e tyre në shqyrtimin dhe vendimmarrjen mbi një çështje me rëndësi të lartë kombëtare. Ai renditi shtatë shkelje kushtetuese që, sipas PD-së, shoqëruan procedurën, duke përfshirë përdorimin e një rruge të përshpejtuar pa justifikim, mungesën e transparencës për shkak të klasifikimit të dokumenteve dhe mosrespektimin e afateve ligjore.
Sipas opozitës, qeveria kishte të gjithë hapësirën kohore për ta ndjekur procedurën normale parlamentare, por zgjodhi një rrugë që, sipas tyre, cenon funksionimin demokratik të Kuvendit. “Thelbi i shqetësimit nuk lidhet me marrëveshjen në vetvete, por me mënyrën antikushtetuese të miratimit të saj”, u shpreh Bardhi.
Në këtë kuadër, Partia Demokratike i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për shfuqizimin e ligjit ratifikues dhe pezullimin e zbatimit të tij deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.
Marrëveshja në fjalë parashikon një financim prej 302 milionë eurosh për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë dhe modernizimin e Forcave të Armatosura. Ndërkohë, PD ka ritheksuar mbështetjen për partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara, duke insistuar që çdo proces i tillë të respektojë plotësisht Kushtetutën dhe rregullat demokratike të funksionimit të institucioneve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



