PD denoncon censurën e regjimit të tallavasë: Edi Rama i mbyll gojën RTSH-së, bllokon LIVE transmetimin e programit të Opozitës

Zëdhënësi i fushatës së PD, Andi Mustafaj, në një deklaratë për media të mbajtur disa çaste më parë, u shpreh me kritika të ashpra ndaj qeverisë së Edi Ramës, duke akuzuar kryeministrin për një praktikë censurimi të paprecedentë ndaj medias dhe zërave opozitarë.

Sipas Mustafajt, Rama ka zgjedhur të ndjekë rrugën e autokracisë, duke mbyllur çdo mundësi për fjalën e lirë dhe duke u përpjekur të mbajë të mbyllur çdo alternativë opozitare. Ai theksoi gjithashtu ndërprerjen e emisionit “Pa Censurë” në RTSH, si një akt të papranueshëm të censurës, që tregon përpjekjen e qeverisë për të frenuar informacionin që i kundërvihet politikave të saj.

Partia Demokratike ka paralajmëruar se do t’i drejtohet institucioneve ndërkombëtare për këtë shkelje të lirisë së medias, duke garantuar se as kërcënimet dhe as censura nuk do ta ndalin opozitën dhe qytetarët nga kërkesa për një Shqipëri më të lirë dhe demokratike.

Deklarata për media:

Pa program, pa ide dhe me 12 vite të gjata pa asnjë punë, përvec rekordit të zi të vjedhjeve, Edi Rama ka zgjedhur rrugën e cdo autokrati në prag të fundit: censurën ndaj fjalës së lirë dhe mbytjen e çdo zëri opozitar.

Rama ka urdhëruar mbylljen e çdo dritareje informative që i jep hapësirë alternativës opozitare. Media duhet të përsërisë vetëm budallallëqet që artikulon ai çdo ditë me “çyrykë”, “kënetë”, ‘bufa’ e “tallava”,

Një ditë më parë emisioni “Pa Censurë” në RTSH, pa asnjë paralajmërim apo shpjegim, u ndërpre në transmetimin në rrjetet sociale, në momentin kur Belind Këlliçi, drejtuesi politik i qarkut Tiranë, po fliste për programin e Partisë Demokratike dhe “Paketën e Dhembshurisë”, që përfshin masa për përmirësimin e jetës së familjeve shqiptare, rritjen e pensioneve dhe reduktimin e varfërisë.

Ndërprerja la në ekran vetëm logon e RTSH-së – teknikisht kjo është e pamundur të ndodhë rastësisht, pasi në rast të ndonjë defekti, do të zhdukej edhe logoja.

Partia Demokratike do t’i drejtohet zyrtarisht Zyrës së OSBE-së në Tiranë dhe organizatave të tjera monitoruese, pasi RTSH është një media publike, e financuar nga taksat e qytetarëve, dhe censura e fjalës së lirë në një institucion të tillë përbën skandal.

I themi qartë Edi Ramës: mund të blesh ekrane, të censurosh intervista, të kërcënosh gazetarë, por nuk do ta mbyllësh dot gojën e opozitës, as do të frenosh vullnetin e qytetarëve të lirë më 11 maj.

Publikuar nga Publik Media