PD kallëzon në SPAK ministren e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu
Partia Demokratike ka depozituar një kallëzim në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ndaj ministres së re të Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, me pretendimin se tema e saj e diplomës është plagjiaturë.
Kallëzimi është bërë përmes avokates Adriana Kalaja, e cila deklaroi para SPAK se bëhet fjalë, sipas pretendimit të PD-së, për kopjim të plotë të punimit, deri te elemente të tilla si presjet, formulimi i qëllimit dhe shkaqet e trajtuara në temë.
Kalaja tha se çështja do të ndiqet penalisht nga PD dhe se kallëzimi ndaj Spahiut është vetëm një nga rastet që demokratët synojnë të paraqesin në SPAK.
Sipas saj, në vijim pritet të ketë kallëzime edhe ndaj ministrave dhe deputetëve të tjerë, duke përmendur konkretisht Taulant Ballën dhe Ulsi Manjën.
Avokatja deklaroi gjithashtu se ende nuk ka një përgjigje lidhur me pretendimet për diplomën e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për të cilën tha se ekziston një kallëzim i mëparshëm që lidhet me këtë çështje.
“Kemi evidentuar që titulli i tyre shkencor është i gjithi mbi një plagjiaturë. Kanë kurajon të vjedhin edhe dijen. Është vepër penale e dënueshme, por nga ana tjetër duhet të kthejnë mbrapsht të ardhurat si pasojë e titullit shkencor”, deklaroi Kalaja.
Ajo shtoi se fokusi i PD-së do të shtrihet te ministra, deputetë dhe zyrtarë të tjerë, duke theksuar se dija duhet të arrihet përmes punës dhe jo përmes kopjimit.
Në lidhje me rastin e Klodiana Spahiut, Kalaja pretendoi se plagjiatura e temës së diplomës është e plotë dhe se janë kopjuar edhe elemente të veçanta të punimit.
Kalaja paralajmëroi gjithashtu se pas kallëzimit ndaj ministres së Shëndetësisë, PD do të ndjekë me kallëzime të tjera raste që ajo i cilësoi si plagjiaturë, duke përmendur fillimisht Taulant Ballën dhe më pas Ulsi Manjën.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



