PD ‘ndërron mendje’, vendos t’i bashkohet protestës në Tiranë
Pas disa ditësh pritjeje dhe një qëndrimi të kujdesshëm ndaj zhvillimeve në terren, Partia Demokratike duket se ka vendosur të dalë zyrtarisht në mbështetje të protestës qytetare që prej një jave po mbahet në Tiranë.
Burime nga strukturat e opozitës bëjnë me dije se në grupet e komunikimit të Partisë Demokratike është shpërndarë një mesazh zyrtar, përmes të cilit mbështetësit ftohen të mblidhen në orën 18:00 përballë Piramidës, pranë stacionit të autobusit, për t’iu bashkuar protestës.
Ky zhvillim shënon angazhimin e parë të organizuar politik të Partisë Demokratike në këtë protestë, e cila deri më tani ishte karakterizuar kryesisht nga pjesëmarrja e qytetarëve, aktivistëve dhe grupeve të ndryshme të shoqërisë civile.
Vendimi i demokratëve vjen në një moment kur protesta ka fituar vëmendje të konsiderueshme publike dhe ka tërhequr mbështetje në rritje nga qytetarë të pakënaqur me situatën politike, ekonomike dhe sociale në vend. Deri më tani, selia blu kishte mbajtur një qëndrim të rezervuar, duke shmangur përfshirjen direkte në organizimin e protestës.
Me thirrjen e fundit, Partia Demokratike sinjalizon se synon të jetë pjesë aktive e mobilizimit qytetar, ndërsa mbetet për t’u parë nëse prania e opozitës do të ndikojë në dinamikën dhe përmasat e protestës së sotme.
Pritet që në orët e mbrëmjes qindra mbështetës të opozitës t’i bashkohen tubimit në qendër të Tiranës, duke i dhënë protestës një dimension të ri politik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



