Pedagogët: Ndalni dhunën ndaj të rinjve! Jo dialog me Ramën, dorëheqje!
“Bojkoti nis sot deri në plotësimin e kërkesave të studentëve”
Sindikata e Pedagogëve ka shpallur bojkotin e mësimit në të gjitha universitetet e vendit, në mbështetje të protestave studentore dhe kundër dhunës ndaj të rinjve. Kreu i sindikatës, Skënder Kovaçi, bëri të ditur se vendimi hyn në fuqi këtë të mërkurë, më 21 tetor, dhe do të jetë në fuqi deri në një njoftim të dytë.
Gjatë një deklarate për mediat, Kovaçi lexoi vendimin e miratuar njëzëri nga kryesia e sindikatës në mbledhjen e zhvilluar më 20 tetor, në sheshin ku po mbahet protesta.
Sipas tij, bojkoti synon të mbështesë kërkesat e studentëve, të cilët protestojnë për përmirësimin e arsimit, shëndetësisë, llogaridhënien institucionale dhe çështje të tjera që lidhen me gjendjen në vend.
Kovaçi theksoi se pedagogët nuk mund të vijojnë normalisht procesin mësimor ndërsa studentët përballen me dhunë gjatë protestave. Ai kërkoi ndalimin e menjëhershëm të forcës ndaj të rinjve dhe protestuesve, si dhe hetimin e përdorimit të forcës policore.
Sindikata kërkon që personat që kanë ushtruar apo drejtuar dhunën të mbajnë përgjegjësi, ndërsa të rinjve të shoqëruar nga policia t’u garantohet trajtim i ligjshëm dhe dinjitoz.
Në qëndrimin e saj, organizata u bën thirrje edhe rektorëve të universiteteve që të respektojnë vendimin për bojkot dhe të mos marrin masa ndaj pedagogëve që i bashkohen protestës.
Deklarata e sindikatës vjen në një kohë kur protestat studentore vijojnë dhe kërkesat për ndalimin e dhunës dhe përgjegjësi institucionale janë bërë pjesë e reagimit të pedagogëve. Në titullin e deklaratës publike kërkohet gjithashtu dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, duke kundërshtuar idenë e dialogut me të.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



