Për veten djeg drejtësinë… edhe Shqipërinë!
Të babëziturit e kombit sot vendosin të mos pezullohen as kur duhet të japin llogari. Duan të jenë mbi gjithçka dhe duan të sillen si pronarët e këtij vendi.
Këto janë ditë të vështira për demokracinë. Ditë të këqija për të ardhmen e çdo të riu. Ditë të trishta për çdo atdhetar.
Ditë të hidhura për kombin tonë.
Me 83 mandate në xhep – 12 prej tyre të falura me “solidaritet opozitar” me marreveshjen e 27 korrikut 2024 – projekti është i qartë: jo qeverisje, por kastë.
Jo reformë, por rrethim.
Jo shtet, por fortesë.
Një kullë me frëngji ku askush nuk guxon të afrohet, përveç atyre që hyjnë me kartë anëtarësie dhe gjunjë të përkulur.
Pasi u përzunë 1.5 milionë shqiptarë nga kjo tokë me papunësi, varfëri dhe mungesë perspektive; pasi u vizatua vetë opozita sipas nevojës së pushtetit;
pasi u drodh çdo forcë e re politike me leva qorre e mekanizma shantazhi – tani radha është për “imunitetin”.
Jo atë kushtetues, por atë moral: paprekshmërinë.
Dorëheqje me nder? Fjalë folklorike.
Në Shqipëri dorëhiqen vetëm ata që s’kanë më ç’të humbin.
Të fortët nuk dorëhiqen – blindohen.
Problemi me “pavarësinë” në këtë vend është se shpesh përkthehet si pavarësi nga ligji.
Si e drejtë hyjnore për të mos dhënë llogari.
Si status mbi Kushtetutën.
Por pavarësia nuk është licencë për të bërë çfarë të duash.
Është liri për të vepruar brenda kufijve të ligjit, nën kontrollin e mekanizmave të balancës.
Pushtetet ndahen për të mos rënë në tirani. Nuk ndahen që të mos preken, por që të kontrollojnë njëri-tjetrin.
Kur pavarësia kthehet në paprekshmëri, kemi kapje. Kur kontrolli kthehet në shantazh, kemi frikë. Kur të dyja zhduken, kemi autokraci me fasadë.
Në çdo sallë gjyqi shkruhet: “Askush nuk është mbi ligjin.” Kjo nuk është fjali dekorative për mure të pluhurosura.
Është themel i shtetit. Dhe përfshin të gjithë: qeverinë, gjykatën, prokurorinë, opozitën.
Përfshin ministrat, deputetët, kryetarët e bashkive, oligarkët, dhe ata që mendojnë se 83 mandate janë kartë e bardhë për përjetësi.
Pavarësia pa kontroll prodhon arrogancë. Kontrolli pa pavarësi prodhon kapjen Rilindasetë Ramës . Balanca mes tyre prodhon shtet. Por për të pasur balancë duhet vullnet për të mos qenë i paprekshëm.
Sepse kur një pushtet kërkon të shpëtojë veten duke djegur drejtësinë, në fund digjet vendi.
Dhe historia ka treguar se kështjellat e paprekshme bien më zhurmshëm se shtëpitë e thjeshta.
Pyetja nuk është më “pavarësi apo paprekshmëri?”.
Pyetja është: a duam shtet, apo duam një kastë që jeton mbi të?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



