Përjashtohen dy zyrtarë të lartë, ulje në gradë për ‘rivalin’ e Prodës
Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka marrë masa të forta disiplinore ndaj disa drejtuesve të policisë në qarkun e Lezhës, pas konstatimit të shkeljeve të rënda gjatë ushtrimit të detyrës.
Nga radhët e Policisë së Shtetit janë përjashtuar ish-zëvendësdrejtori për Rendin në Policinë e Lezhës, Taulant Gjoka, si dhe ish-shefi i Komisariatit të Policisë, Oltion Gjoni. Vendimi është marrë pas një hetimi administrativ që analizoi veprimtarinë e strukturave drejtuese gjatë periudhës kur ata ushtronin detyrën.
Ndërkohë, për ish-drejtorin e Policisë së Lezhës, Altin Mena, i cili aktualisht mban postin e zëvendësdrejtorit për Rendin në Policinë e Kukësit, është vendosur masë disiplinore e rëndë: ulje në gradë për një periudhë pesëvjeçare. Një tjetër masë disiplinore është marrë edhe ndaj zëvendësdrejtorit për Krimet, Kujtim Gjoka, për të cilin është vendosur shtyrja e afatit të gradimit.
Sipas të dhënave që çuan në këto vendime, gjatë kohës kur këta drejtues administronin strukturat e policisë në Lezhë, në qendër të qytetit operonte prej kohësh një kazino trekatëshe me më shumë se 20 makineta dhe sallë pokeri. Gjatë ndërhyrjes së autoriteteve në këtë ambient u gjet dhe u sekuestrua edhe një sasi lënde narkotike e dyshuar si kokainë.
Gjithashtu, në rrugën nacionale Lezhë–Milot u zbulua një magazinë e përshtatur për kultivimin e kanabisit, e cila dyshohet se funksiononte që nga muaji gusht i vitit 2025. Gjatë operacionit policor në këtë ambient u sekuestruan më shumë se 1 mijë bimë kanabis.
Masat disiplinore ndaj drejtuesve të policisë janë marrë në kuadër të përgjegjësisë institucionale për mosveprim dhe mosparandalim të aktiviteteve të paligjshme që zhvilloheshin në territorin që ata administronin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



