Përleshje mes të burgosurve shqiptarë dhe algjerianë në Greqi
Plagosen gjashtë persona
Një përleshje e dhunshme ka ndodhur në burgun e Domokosit, në prefekturën e Ftiotisit, në Greqinë qendrore, ku janë përfshirë të burgosur shqiptarë dhe algjerianë.
Nga incidenti kanë mbetur të plagosur gjashtë persona, të moshave nga 26 deri në 41 vjeç. Njëri prej tyre ka pësuar dëmtime të rënda dhe ndodhet në gjendje kritike.
Sipas raportimeve të mediave greke, përleshja ka ndodhur pasditen e djeshme brenda ambienteve të burgut. Shkaku që ka çuar në konfliktin mes të burgosurve nuk është bërë ende i ditur dhe autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave.
Të gjashtë të plagosurit u transportuan fillimisht në Qendrën Shëndetësore të Domokosit, ndërsa katër prej tyre u dërguan më pas në Spitalin e Lamias për trajtim më të specializuar.
Njëri prej të burgosurve kishte marrë plagë të rënda në kokë dhe iu nënshtrua menjëherë një ndërhyrjeje kirurgjikale. Gjendja e tij shëndetësore vijon të konsiderohet e rëndë.
Një tjetër i burgosur ishte plagosur me një thikë të improvizuar, por pas marrjes së ndihmës mjekësore gjendja e tij është stabilizuar dhe nuk raportohet më në rrezik për jetën.
Incidenti i fundit ngre shqetësime edhe për sigurinë në burgun e Domokosit, pasi bëhet fjalë për përleshjen e tretë të ngjashme të regjistruar brenda rreth një muaji e gjysmë.
Autoritetet greke po hetojnë shkaqet e konfliktit dhe rrethanat në të cilat ndodhi përleshja.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



