Përmbytje masive në qarkun e Durrësit, lumi Erzen del nga shtrati
Reshjet intensive të shiut të shoqëruara me prurje të larta ujore kanë nxjerrë nga shtrati lumin Erzen, duke shkaktuar përmbytje të konsiderueshme dhe dëme serioze në njësitë administrative Sukth dhe Katund i Ri, në qarkun e Durrësit.
Situata është ndjekur që në orët e para të mëngjesit nga strukturat vendore dhe emergjencat civile, të cilat kanë qenë të angazhuara në terren për menaxhimin e situatës dhe kufizimin e pasojave. Në disa segmente, lumi ka kaluar mbi argjinaturë, ndërsa në pika të tjera është konstatuar çarja e saj, duke sjellë përmbytje të zonave të banuara dhe tokave bujqësore.
Ekipet e punës dhe mjetet e rënda po punojnë pa ndërprerje për riparimin dhe forcimin e argjinaturës, si dhe për garantimin e sigurisë së banorëve. Situata më problematike paraqitet në njësinë administrative Katund i Ri, konkretisht në fshatin Erzen, ku çarja e argjinaturës ka detyruar nisjen e evakuimit të banorëve nga zonat e përmbytura.
Përmbytje janë raportuar edhe në fshatrat Katund i Ri, Katund Sukth dhe Fllakë, ndërsa rreth 500 hektarë tokë bujqësore rezultojnë nën ujë.
Në njësinë administrative Sukth, përmbytjet kanë prekur një pjesë të zonës urbane, kryesisht lagjet 2, 3 dhe 4, si dhe zonat pranë shtratit të lumit Erzen, duke krijuar vështirësi për banorët dhe qarkullimin rrugor. Dëme të konsiderueshme janë evidentuar edhe në sektorin bujqësor, ku rreth 2 000 hektarë tokë janë përmbytur në zonat e Sukthit, Hamallajt, Rrushkullit, Perlatit, Kullës dhe Vadardhës.
Ndërkohë, hidrovorët e Porto Romanos dhe Hamallajt po funksionojnë me kapacitet maksimal për të përballuar flukset e ujit dhe për të ulur nivelin e përmbytjeve. Autoritetet bëjnë me dije se të gjitha strukturat do të vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri të plotë, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe minimizimin e dëmeve materiale.
Në një përditësim të situatës në rang kombëtar, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se reshjet intensive të orëve të fundit kanë sjellë rritje të niveleve të lumenjve në disa qarqe të vendit, duke shkaktuar problematika serioze, përfshirë përmbytje të tokave bujqësore dhe banesave, rrëshqitje dherash, dëmtime infrastrukturore dhe bllokime rrugësh.
Situata më e rënduar raportohet në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Berat dhe Gjirokastër. Strukturat e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, janë angazhuar në terren për përballimin e emergjencës, evakuimin e banorëve aty ku është e nevojshme dhe reduktimin e pasojave nga moti i keq.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



