Përpjekja e dëshpëruar e Veliajt për të fshehur skandalin e inceneratorit
Naim Noka
Skandalet e njëpasnjëshme të inceneratorit inekzistent të Sharrës dhe kompanisë “5D” duket se e kanë shtyrë kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, të kërkojë zgjidhje alternative për t’iu shmangur rezultateve të pritshme të auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH). Në një aktivitet të prezantuar publikisht këtë të mërkurë, Veliaj shpalli një partneritet të ri me një kompani të njohur këshillimi në Britaninë e Madhe, duke deklaruar se “e gjithë bashkia e Tiranës do të kalojë në filtër të gjitha procedurat, mënyrën se si funksionon, si merren vendimet, si kontrollohen ato, mënyra e zbatimit të projekteve, por edhe inspektimin e zbatimit të tyre, për transparencë maksimale”.
Megjithatë, ndonëse Veliaj pretendon se roli i kompanisë së kontraktuar është këshillimor, duket qartë se objekti i punës së saj përkon me auditimin financiar që ka nisur pak javë më parë nga KLSH-ja në bashkinë e Tiranës.
Një grup prej 10 audituesish të KLSH-së po kryen një inspektim financiar dhe të përputhshmërisë në institucionin e drejtuar nga Veliaj. Ky grup pune pritet të përfundojë kontrollin dhe të bëjë publik rezultatet deri në tetor të këtij viti.
Kontrolli i fundit i KLSH-së në bashkinë e Tiranës u krye në vitin 2019. Tani, objekti i auditimit financiar mbulon periudhën 2019-2022, e cila përfshin shkeljet më të mëdha të zbuluara në bashkinë e Tiranës. Në fillim të vitit 2019, bashkia e Tiranës nisi pagesat për inceneratorin inekzistent të Sharrës. Këto pagesa vazhdojnë ende, megjithëse kompania koncesionare “Integrated Energy BV” nuk ofron shërbimin e plotë për të cilin paguhet.
Gjithashtu, periudha që është tashmë nën auditim nga KLSH-ja përkon me kulmin e aktivitetit abuziv të kompanisë “5D”, drejtuar nga zyrtarë të bashkisë së Tiranës. Hetimet e Prokurorisë së Posaçme, edhe pse të pjesshme, zbuluan një numër të konsiderueshëm tenderash të fituar nga “5D” në mënyrë abuzive në institucionin e drejtuar nga Veliaj.
Pikërisht nga frika se këto shkelje, të raportuara me forcë nga opozita, do të çertifikohen edhe nga KLSH-ja, Veliaj ka menduar të përdorë një skenar propagandistik për të zbutur efektet e skandalit. Ai ka sajuar një kontratë me një kompani ndërkombëtare për të amortizuar skandalet, duke prezantuar një projekt, siç thotë ai, për transparencë, ndërkohë që ka drejtuar për tre mandate bashkinë e Tiranës nën një errësirë totale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



