E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Përplasja për aeroportin e Vlorës, Gjykata e Lartë i jep të drejtë Pacollit
Lajme

Përplasja për aeroportin e Vlorës, Gjykata e Lartë i jep të drejtë Pacollit

Gjykata e Lartë ka marrë një vendim të rëndësishëm në lidhje me konfliktin ligjor për projektin e aeroportit të Vlorës, duke rrëzuar kërkesën për sigurimin e padisë të paraqitur nga kompanitë “Vlora International Airport” dhe “2A Group”, të lidhura me biznesmenin Valon Ademi. Ky vendim i fundit i hap rrugë sipërmarrësit Behgjet Pacolli, duke i dhënë atij të drejtë në këtë përballje gjyqësore.

Vendimi është dhënë nga trupa gjykuese e Kolegjit Civil, e cila ka vendosur të ndryshojë qëndrimet e mëparshme të dy shkallëve të tjera të gjyqësorit, konkretisht Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe Gjykatës së Apelit Tiranë.

Në vendimet e mëhershme, këto dy gjykata kishin pranuar kërkesën për vendosjen e masës së sigurimit të padisë në favor të kompanive paditëse. Megjithatë, Gjykata e Lartë ka arritur në përfundimin se kjo kërkesë nuk qëndron mbi baza të mjaftueshme ligjore, duke vendosur shfuqizimin e masës së sigurimit.

Ky zhvillim përbën një kthesë të rëndësishme në çështjen në fjalë, duke ndryshuar balancën ligjore mes palëve të përfshira në projektin e aeroportit të Vlorës.

Ndërkohë, tensionet mes palëve kanë reflektuar edhe në terren. Më 16 maj, situata kulmoi me bllokimin e punimeve në kantierin e aeroportit, ku shoqëria “A2 Group” pengoi hyrjen e punonjësve dhe nënkontraktorëve të kompanisë “Mabco”, duke krijuar një ngërç në vijimin e projektit.

Çështja mbetet ende në vëmendje, ndërsa pritet të shihet se si do të ndikojë ky vendim në ecurinë e mëtejshme të investimit strategjik në jug të vendit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.