Përplasje për pagat e magjistratëve, qeveria bllokon rrogat e gushtit
Përplasja mes qeverisë dhe institucioneve drejtuese të sistemit të drejtësisë për pagat e magjistratëve ka hyrë në një fazë të re.
Burime bëjnë me dije se Thesari i Shtetit ka bllokuar pagat e muajit gusht për magjistratët, pas vendimeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për ndryshimin e bazës mbi të cilën llogariten pagat e tyre.
KLGJ dhe KLP vendosën që paga referuese për magjistratët të rritet në 222.425 lekë, nga 156.800 lekë që ishte më parë. Krahas kësaj shume parashikohet edhe një shtesë prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit.
Vendimi i KLGJ-së parashikon që paga e re referuese të aplikohet duke nisur nga 1 gushti. Të njëjtën bazë page, 222.425 lekë, së bashku me shtesën prej 14 mijë lekësh, përcaktoi edhe KLP për prokurorët.
Kjo situatë ka krijuar përplasje me ekzekutivin, pasi rritja e pagës referuese sjell automatikisht një rritje të konsiderueshme të pagave në nivelet e ndryshme të sistemit të drejtësisë. Në institucionet më të larta dhe strukturat e posaçme, pagat mund të rriten ndjeshëm si pasojë e formulave të përcaktuara në legjislacion.
Në themel të përplasjes qëndron edhe një vendim i Gjykatës Kushtetuese i marrë në shkurt të vitit 2026. Kushtetuesja rrëzoi formulën ligjore që e lidhte pagën e magjistratëve me 0.36 të pagës së Presidentit të Republikës, duke vlerësuar se ndryshimet e miratuara në vitin 2023 kishin sjellë një ulje të fshehtë të pagave.
Pas rrëzimit të dispozitës, Gjykata Kushtetuese i la Kuvendit afat deri më 31 korrik 2026 për të miratuar një formulë të re për përcaktimin e pagave të magjistratëve.
Afati përfundoi pa hyrë në fuqi një zgjidhje e re ligjore. Një ditë përpara skadimit të tij, mazhoranca depozitoi në Kuvend një propozim për ndryshimin e formulës, duke parashikuar që paga e magjistratëve të llogaritej mbi 0.38 të pagës së Presidentit, nga 0.36 që ishte përcaktuar më herët.
Në kushtet e mungesës së një formule të re të miratuar brenda afatit, KLGJ dhe KLP ndërmorën vendimet për përcaktimin e pagës referuese prej 222.425 lekësh.
Tashmë, bllokimi i pagave të gushtit në Thesarin e Shtetit e ka thelluar përplasjen mes institucioneve të drejtësisë dhe qeverisë, duke hapur pikëpyetje mbi mënyrën se si do të zgjidhet ngërçi financiar dhe ligjor për pagat e magjistratëve.
Çështja pritet të marrë zhvillime të mëtejshme, pasi bëhet fjalë për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në një kohë kur ende nuk është miratuar formula e re ligjore e kërkuar nga Gjykata Kushtetuese.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



