Përplasje te gjimnazi “Partizani”, drejtori i Policisë së Tiranës përplaset me gazetarin
Tensione verbale janë regjistruar pranë ambienteve të gjimnazit “Partizani”, ku drejtori i Policisë së Tiranës, Oliger Torba, është përfshirë në një debat me gazetarin Klevin Muka dhe një qytetar që ndodhej në zonë.
Përplasja me gazetarin nisi gjatë komunikimit mes tyre, kur Torba i kërkoi Mukës të merrej me punën e tij. Gazetari iu përgjigj duke kundërshtuar mënyrën se si iu drejtua drejtuesi i Policisë, duke i bërë të qartë se askush nuk mund t’i diktojë punën që kryen.
Debati vijoi edhe me një qytetar, i cili u përball me kërkesat e Torbës për të identifikuar veten dhe për të shpjeguar praninë e tij pranë shkollës. Drejtori i Policisë i tha se ndodhej brenda perimetrit të sigurisë. Qytetari kundërshtoi, duke pretenduar se kishte të drejtë të qëndronte aty.
Dialogu mes palëve:
Dialogu mes palëve
Prindi: Do të rri në shkollë këtu.
Drejtori i Policisë së Tiranës, Oliger Torba: Si quhesh? Sepse dukesh shumë i interesuar që të afrohesh pranë shkollave. Si quhesh?
Prindi: Edhe në trotuar nuk lejohet të qëndrosh?
Oliger Torba: Po patjetër, gjithë trotuari këtu. S’kam nevojë të jap shumë shpjegime. Vazhdo te puna jote.
Gazetari Klevin Muka: Po kush je të më tregosh punën mua, mor zotëri?
Oliger Torba: Të lutem, rri aty. Dua që të kem informacion për këdo që rri pranë shkollës.
Reagime për praninë e policisë pranë shkollave
Përplasjet verbale u zhvilluan në një moment kur prania e policisë pranë institucioneve arsimore është shoqëruar me vëmendje dhe reagime. Ndërveprimi mes efektivëve, gazetarëve dhe qytetarëve ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e komunikimit dhe kufijtë e veprimit në hapësirat publike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



