E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Përshkallëzime në Greqi, fermerët përmbysin makinën e policisë
Bota

Përshkallëzime në Greqi, fermerët përmbysin makinën e policisë

Pamje të rënda vijnë nga Kreta, ku protesta e fermerëve grekë është kthyer në një valë dhune që po përshkallëzohet dita-ditës. Ajo që nisi si një revoltë për subvencione dhe kosto të larta prodhimi, sot është shndërruar në një përplasje të hapur me policinë.

Qytetet kryesore të ishullit, Hania dhe Iraklio, u kthyen këtë të hënë në skena kaosi. Në Hanía, protestuesit çanë kordonin e sigurisë, përmbysën një automjet policie dhe detyruan forcat speciale të tërhiqen, edhe pse këto të fundit përdorën gaz lotsjellës për t’i shpërndarë.

Situata nuk ishte më e qetë në Iraklio, ku qindra fermerë arritën të depërtonin deri në pistën e aeroportit, gjë që detyroi autoritetet të mbyllnin përkohësisht trafikun ajror.

Lëvizja e sotme nuk është e izoluar. Që nga fundi i nëntorit, protesta të njëpasnjëshme kanë mbërthyer Greqinë nga veriu në jug. Fermerët akuzojnë qeverinë për shpërndarje selektive të fondeve të BE-së, duke favorizuar sipas tyre persona të lidhur me pushtetin, ndërsa pjesa tjetër e bujqve lufton për të mbijetuar mes kostove në rritje.

Në kufirin me Bullgarinë, në Promahonas, qindra traktorë vijojnë të mbajnë të bllokuar hyrje-daljet kryesore. Bllokime të ngjashme janë raportuar në autostradën Egnatia, pranë Kozanit, në Kardhicë dhe në zona të tjera strategjike të Thesalisë. Në disa vende protestat janë paqësore, ndërsa në të tjera tensioni ka degjeneruar në konfrontime të forta me polici.

Kryeministri Mitsotakis ka bërë thirrje për qetësi dhe ka premtuar se pagesat e subvencioneve do të finalizohen brenda muajit. Por fermerët paralajmërojnë se do të zgjerojnë bllokadat dhe veprimet e tyre, nëse nuk shohin rezultate konkrete menjëherë.

Ndërkohë, situata mbetet e brishtë në të gjithë vendin, me autoritetet që presin që protestat të rriten edhe më shumë gjatë ditës—ndoshta një nga mobilizimet më të forta të bujqve në vitet e fundit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.